Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero në një lidhje me ‘Skype’ në emisionin Repolitix në Report Tv u shpreh se Shqipëria e kaloi pikun nga koronavirusi dhe tani kemi filluar uljen e kurbës.
“Një javë e re me më pak numra, dëshmon një trend të rënies së epidemisë në vendin tonë, shpresojmë që të vijojë kështu edhe pse është e pamundur për të bërë parashikime. Tani është java e tretë, kemi një rënie të numrave çka besoj fort se shkon në logjikën apo ecurinë e kësaj epidemie edhe në vendet e tjera dhe do të thotë se e kemi kaluar pikun dhe sheshpushimin dhe besoj se kemi filluar uljen. Ulja do të jetë graduale, gjysma e dytë e kësaj epidemie do të jetë më e gjatë në kohë, duhet të mos ulet vigjilenca”m tha ai.
Megjithatë ai kërkoi që masat e distancimit social të vijojnë që të zbatohen dhe hapja të bëhet graduale. “Shifrat dhe rastet deri tani janë të përballueshme. Duhet ti menaxhojmë që të vijnë duke u ulur, jo duke u ngritur. Masat e distancimit social do të vijojnë në një kohë relativisht të gjatë. Jam partizan i lehtësimit gradual të masave në vendin tonë në raport me ecurinë e epidemisë sa kohë kufijtë janë të bllokuar dhe gjithçka ndodh brenda nesh”.
Sot u shënua rasti i parë me koronavirus në Kukës, por a rrezikon të përsëritet në qytetin verilindor ajo që ndodhi në Shkodër?
“Nuk mund ta them këtë, u përket specialistëve, ekipeve. Unë them se fatmirësisht vendi ynë ka një sistem epidemiologjik, të përkushtuar maksimalisht dhe shumë të përgatitur për të gjurmuar çdo rast kontakti, edhe pse në Shqipëri është shumë e vështirë”, tha Pipero.
A ka rrezik kur merrni kafe te furrat e bukës?
“Nëse një qytetar shkon brenda fashës që ka caktuar qeveria, blen bukën, merr edhe kafen dhe ikën në shtëpi duke ruajtur distancën nuk ka asgjë të keqe, por nëse merr kafen dhe ulet brenda fashës dhe bën disa minuta muhabet kjo është e rrezikshme për shëndetin e tyre dhe familjarëve të tyre. Prandaj i këshilloj qytetarët”, tha ai.