Pavarësisht fitores 4-1 të arritur kundër Arsenal-it në finalen e Europa League, e ardhmja e Maurizio Sarri-t te Chelsea nuk është e sigurt. Italiani, në fakt, është një nga kandidatët më të fortë për të marrë vendin e Allegri-t tek Juventus.
Ish-trajneri i Milan-it, Arrigo Sacchi, ka folur për të ardhmen e Sarri-t në një intervistë të dhënë për “Radio Capital”. “Fitorja e Chelesea-t më ka gëzuar shumë. Sarri fitoi me meritë dhe nuk është më pjesë e kategorisë së trajnerëve që janë të mirë, por nuk fitojnë kurrë. Ka fituar një ndeshje të vështirë. Ai ka lojtarë të mirë, por që nuk luajnë shumë për skuadrën”.
Në lidhje me mundësinë e një kalimi të Sarri-t në drejtim të Juventus-it, Sacchi ka thënë: “Më pëlqejnë ata trajnerë që i japin një stil loje skuadrës, në Itali ka vetëm 4 ose 5 që e bëjnë një gjë të tillë”.
“Të tjerët mendojnë vetëm për taktikën. Sarri ka treguar se është në gjendje t’i japë një stil loje skuadrave të tij, një identitet. Sarri tek Juventus do të ishte një revolucion i rëndësishëm”.