Tirana u trondit mbrëmjen e djeshme nga një ekzekutim me armë zjarri që u regjistrua në Kodër Kamëz. Can Kariçi 30-vjeç u vra brenda makinës së tij tip “Golf V”. Ngjarja është ende pa autor. Policia gjeti makinën e djegur të autorëve, që paraprakisht mendohet se ishin dy dhe kallashnikovin brenda.
Viktima ishte mik i Ervis Martinaj dhe emri i tij është lakuar disa herë në ngjarje kriminale. Por ky nuk është rasti i parë që ekzekutohen shokët dhe miqtë e Ervis Martinajt, një personazh i njohur. Në total janë 5 njerëzit e Ervis Martinajt që janë ekzekutuar brenda pak viteve.
Saga e ekzekutimeve
Në 4 tetor të vitit 2018 ndodh masakra në zonën e Bllokut. Si pasojë e përplasjes mbeti i vdekur Fabian Gaxha në lokalin “Monopol”. Ai u qëllua për vdekje nga Mervjol Billo teksa ishte në shoqërinë e Martinajt.
Në 28 gusht 2019 ekzekutohet Santiago Malko në Porcelan. Miku i Ervis Martinajt ishte ish-punonjës policie i skeduar nga policia. Për këtë ngjarje drejtësia akuzoi Blendi Tetën.
Në 30 maj të vitit 2020 vriten në Laç dy persona, njëri prej të cilëve ishte Bujar Lika (Hasani) 37-vjeç, gjithashtu mik i Ervis Martinajt.
13 nëntor të këtij viti vritet Erigers Mihasi së bashku me shokun e tij Armando Dumani. Mihasi ishte miku i radhës i Ervis Martinajt që ekzekutohej. Ai ishte i skeduar më parë nga policia për disa ngjarje kriminale.
23 dhjetor, mbrëmjen e djeshme ishte Can Kariçi që u vra në Kodër Kamëz. 30-vjeçari është shoku i fundit i Ervis Martinajt që ekzekutohet në atentat. Viktima ka qenë me precedent të mëparshme penale, konkretisht në fushën e krimeve kundër personit.