Episodi i radhës diskriminues nga tifozët e Çelsit, që duket se kanë kaluar çdo kufi tashmë dhe në shtypin anglez është hapur një debat i ashpër, duke shkuar deri aty sa të kërkohet mbyllja e stadiumit “Stamford Bridge”, pasi konsiderohet një problem gjenerate i klubit londinez.
Një video me korin e tifozëve të Çelsit kundër Mohamed Salah (Salah is a bomber), po bën xhiron e botës. Tema e racizmit është aktuale në Angli, ku rasti i fundit është ai i diskriminimit të tifozëve të Malit të Zi ndaj Stirling, Hudson-Odoi dhe Rose në ndeshjen kualifikuese të Euro 2020. Për tifozët e Çelsit është bërë rrugë tashmë dhe të gjithë kërkojnë marrjen e masave konkrete. Gjatë transfertës së Pragës, një grup tifozësh të ekipit londinez kanë kënduar kore raciste ndaj egjiptianit të Liverpulit “Salah bombarduesi”. Tre prej këtyre tifozëve nuk janë lejuar të hyjnë në “Eden Arena”, ku u luajt ndeshja Sllavia Praga-Çelsi. I menjëhershëm ka qenë reagimi i klubeve të Çelsit dhe Liverpulit, që do të ndeshen të dielën në “Anfield Road”.
Klubi i Liverpulit ka postuar një komunikatë të gjatë në faqen zyrtare: “Liverpuli gjykon se është përgjegjësi e organeve kompetente të ndjekin këtë çështje, të reagojnë urgjentisht për të identifikuar dhe më pas ndëshkuar këdo që kryen vepra të kësaj natyre. Nuk ka vend për sjellje të tilla në futboll. Klubi ynë po punon me policinë e Merseisajd dhe me Çelsin për këtë ngjarje. Falënderojmë Çelsin për impenjimin për identifikimin e personave përgjegjës”. Edhe policia e Merseisajd ka mbajtur një qëndrim zyrtar, ku ka folur edhe për postime kërcënuese. “Policia po analizon disa postime, që sulmojnë një lojtar të Liverpulit, ku gjuha e përdorur është e papranueshme”, – shkruhet në qëndrimin e policisë.
Nuk është hera e parë që në episode diskriminuese përfshihen tifozët e Çelsit. Disa mbështetës të “Bluve të Londrës” u bënë protagonistë në dhjetor me koret antisemitiste ndaj tifozëve të Totenhemit gjatë ndeshjes së luajtur në Budapest ndaj Vidit në Europa League. Duke parë situatën, “Sun”, me anë të një editoriali, ka mbajtur një qëndrim shumë të fuqishëm ndaj tifozëve të Çelsit: “Çelsi ka një problem të madh dhe thelbësor, një problem gjenerate ndaj racizmit”, – shkruan prestigjiozja angleze, që sjell në vëmendje gjithë episodet raciste, duke përfshirë edhe sulmin ndaj Stirling. “Tifozët e Çelsit urrejnë njerëzit me ngjyrë, urrejnë hebrenjtë, urrejnë muslimanët, edhe pse në skuadrën e tyre kanë lojtarë me ngjyrë dhe myslimanë, ndërsa miliarderi që transformoi klubin e tyre, është hebre. Nuk është një problem i shoqërisë në Angli, por është një problem i Çelsit”, – vazhdon qëndrimi i ashpër i “Sun”.Editoriali nuk mbyllet me kaq, pasi “Sun” shkon edhe më tej, duke propozuar një mënyrë për zgjidhjen e problemit: “Sigurisht, racizmi nuk është një problem vetëm i Çelsit, por ky klub nuk mund të fshihet me një ndjesë injorante. Stadiumi “Stamford Bridge” duhet të mbyllet dhe Çelsit duhet t’i hiqen pikë. Është thënë gjithmonë se pjesa më e madhe e tifozëve të Çelsit e urrejnë racizmin dhe tani është momenti që ta tregojnë publikisht”. Edhe “Daily Mail” ka mbajtur qëndrim të ashpër, duke kërkuar braktisjen e fushës së lojës në raste episodesh racizmi. Për këtë temë ka folur edhe Rahim Stirling, “viktimë” e racizmit, por ai ka qenë kundër idesë për ndërprerjen e ndeshjeve në raste koresh diskriminuese. “Më mirë të luftojmë racistët se t’i bëjmë ata të ndihen të turpëruar me largimin tonë nga fusha”, – ka thënë lojtari i Mançester Sitit.
Daily Mail” e ka shtjelluar më tej temën: “Çfarë do të ndodhte, nëse një atlet nuk është aq i shpejtë sa Xhesi Ouens (atleti me ngjyrë që triumfoi në Olimpiadën e 1936-ës në Berlinin hitlerian), apo një lojtar nuk ka aq talent sa Stirling? Çfarë ndodh, nëse një lojtar që bëhet objekt i akteve raciste është në anën e humbësve? Stirling ka favorin se në pjesën më të madhe të ndeshjeve do të jetë fitues. Ai ka fatin që luan me Mançester Sitin, një prej skuadrave më të forta në botë, si dhe me Anglinë, që më shumë ndeshje i fiton se i humb. Por jo të gjithë sportistët janë Xhesi Ouens ose Rahim Stirling. Për ata që nuk janë në gjendje të japin një përgjigje në fushën e lojës, ta braktisin atë do të ishte një formë proteste”, – përfundon editoriali. Kuptohet qartë se racizmi është bërë një çështje shumë shqetësuese në Angli, së cilës i duhet dhënë një zgjidhje një herë e mirë.