Mohamed Salah dhe e ardhmja e tij te Juventus është një pistë që po i mëshojnë gjithmonë e më shumë. Fillimisht, Sky News Arabia raportoi se Juventus ishte gati të paguante 200 milionë euro për egjiptianin.
Ndërsa sot, në Itali kanë shpërthyer faqet e para të gazetave me një formulë tjetër se si mund të mbërrij “Faraoni” në Torino.
Corriere Dello Sport, Tuttosport dhe La Gazzetta dello Sport sot janë hapur të gjithë me një ide të njëjtë: Juventus do të tentojë të hyjë në bisedime me Liverpool me një ofertë të përgjithshme prej 200 milionë euro për të marrë sulmuesin e “Reds”, por në këtë mes do të përfshihet kartoni i Paulo Dybala.
Argjentinasi nuk ndihet më i lumtur në Torino, prezenca e tij si titullar në fushë nuk është më e sigurt, prandaj “La Joya” do preferonte një ekip ku të ishte lider.
Për këtë drejtuesit e Juves do të përdorin atë për të marrë Salah, edhe për faktin e thjeshtë se Liverpool nuk mund të largojë një yll vetëm për para.
Mediet kanë shtruar hipotezën se Juventus do të paguajë direkt 50 milionë euro dhe më pas do bëhet shkëmbimi i lojtarëve. Në këto shifra lë të kuptohet se kartoni i Dybala vlerësohet 150 milionë euro nga kampionët e Italisë, duke mos i hequr asnjë qindarkë nga vlera 200 milionë e Salah.
Sa i vërtetë dhe sa i realizueshëm do jetë ky mega-operacion do shihet në muajt e ardhshëm, kur merkato do ndizet me të vërtetë. Tashmë u mësuam, gjithçka mund të ndodhë!