Kryeministri Edi Rama njihet tashmë si tifoz i zjarrtë i Juventusit dhe pas fitores në Champions League përballë Portos ka publikuar edhe një status në Facebook, por është përballuar me reagimet e tifozëvë kundërshtarë të bardhezinjve.
Në replikat mes Ramës që dukej mjaft në humor dhe komentuesve nuk kanë munguar batutat “thumbimet” për Berishën dhe Bashën.
“Juventusi fitoi, por në fund ndodh zhgënjimi i madh dhe më parë bëhet Basha kryeministër se bardhezinjtë kampionë Europe” shkruan njëri nga komentuesit në faqen e Ramës.
Por kryeministri i përgjigjet duke i thënë se “je i vogël dhe se kupat e kampioneve të Juves nuk i mban mend dhe as nuk e kupton që nuk është skuadër futbolli është besim”.
Simpatia për Juven ka zhgënjyer tifozët e Interit, por Rama shprehet se “i kam miq, se na lidh afeksioni për Murinjon“.
Një tjetër komentues i thotë se “Vetëm Milani ju vjen hak Juve….më keq dhe se Sala të duket”.
Ndërsa kryeministri i këshillon që të mos ngatërrojë Salën me Silvion se është si me ngatërru Champions-in me kampionatin e gjuajtjes me gur.
Por një tjetër ngulmon sërish te ish kryeministri “Saliu është me Milanin dha ka 7 Champions“. Rama i përgjigjet me ironi se “Quhet Silvio ai jo Sali”.
Ka edhe nga ata që thumbojnë teksa shprehen se “Me Juven po fiton ndërsa me Bashën po humb”.
E menjëhershme përgjigja e kreut të qeverisë që e këshillon “Mbahu ke Juvja se të tjerat janë sport i vështirë për ty”.