Kryesore Salvini, i lumtur të dëbojë emigrantët shqiptarë!

Salvini, i lumtur të dëbojë emigrantët shqiptarë!

Matteo Salvini është shfaqur mjaft i ekzaltuar të mërkurën nga deportimi i një të riu shqiptar, të arrestuar për tentativë vjedhjeje, duke paralajmëruar të gjithë emigrantët që janë të dënuar për krime si trafiku i drogës apo sulmet seksuale se do të përballen me riatdhesim të menjëhershëm. Ai që është në dukje një postim i thjesht ishte në fakt prova e fundit e antipatisë që ministri i Brendshëm italian ka ndaj shqiptarëve.

21-vjeçari shqiptar që u arrestua në Bolonjë, u depërtua nga Italia nën arsyetimin se ishte një person jashtëzakonisht i rrezikshëm. “Ai kishte hyrë në Itali si turist në tetor 2018-ës”, shpjegojnë burimet e Ministrisë së Brendshme italiane dhe ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim për tentative për vjedhje. Pasi u lirua nga paraburgimi, i riu u arrestua në ambientet e zyrave të policisë, sipas nenit 4 të dekretit të ri të sigurisë të hartuar nga Salvini, më qëllim riatdhesimin e tij të menjëhershëm në Shqipëri”.

“Një fitore e dekretit të ri të sigurisë”, shkruan Salvini në Facebook, duke shpërndarë lajmin për deportimi e të riut shqiptar. “Lirohet pas një vjedhjeje, por dëbohet falë dekretit të sigurisë. Një lajm i shkëlqyer që konfirmojnë efektivitetin e politikave tona”, shkruan Zëvëndëskryeministri italian.

Matteo Salvini

Ishte pikërisht miratimi i këtij dekreti nga parlamenti italian dy muaj më parë ai që i dha Matteo Salvini fitoren e tij të parë konkrete. Dekreti i kaluar me gati 400 vota ishte nj ogur i keq pqër të gjithë emigrantët shqiptarë në vendin fqinj, pasi përcakton depërtimin e menjëhershëm të atyre që nuk kanë dokumente të ligjshme ose akuzohen për vepra penale.

I ashtuquajturi “Dekreti Salvini”, jo vetëm që vështirëson marrjen e azilit, por edhe rrit ndjeshëm masat e sigurisë për të parandaluar sulmet terroriste në tokën italiane, por edhe për të rritur sigurinë në vendin fqinj.

Një nga pikat kryesore të këtij ligji është edhe heqja e mbrojtjes humanitare për azilkërkuesit që janë shpallur fajtorë për një krim. Lista e krimeve për të cilat emigrantët mund të dëbohen në mënyrë të menjëhershme nga shteti italian përfshin kërcënime ose dhunë ndaj një zyrtari publik, vjedhje, trafik droge si edhe cenimin e sigurisë së shtetësive italianë.

Dëbimi i 21-vjeçarit në sajë të këtij dekreti ka të ngjarë të pasojë shumë të tjera, pasi ky ligj gjithashtu rrit fondet për policët dhe anti-mafian italiane me qëllim ndjekjen, dënimin dhe më pas dëbimin e të gjithë emigrantëve që merren me trafik droge apo vjedhje. Për herë të parë, ky ligj i lejon policisë madje edhe përdorimin e goditjeve elektrike ndaj emigrantëve.

Pak pas miratimin të këtij ligji, Salvini deklaroi se do të rriste kontrollin ndaj çdo emigranti që merrte kamionin për të shkuar në Itali, një paralajmërim që duket se u drejtohej edhe shqiptarëve që emigrojnë drejt vendit fqinj.

Salvini kundër shqiptarëve

Kjo nuk ishte hera e parë dhe me gjasë as e fundit që Matteo Salvini shkruan kundër emigrantëve shqiptarë apo vetë Shqipërisë në rrjetet sociale. Antipatia e tij ndaj shqiptarëve duket se i ka fillesat shumë më herët, kur ishte ende kryetari i Lega Nord dhe kur partia e tij kërkonte shkëputjen e Italisë së Veriut.

Kur një kamion i policisë së burgut u sulmua nga një bandë në Varese për të bërë të mundur arratisjen e një të burgosuri me burgim të përjetshëm, të gjitha mediat italiane njoftuan se bëhej fjalë për një shtetas shqiptar.

Në minutat e para që u përhap lajmi se i burgosuri në fjalë ishte nga Shqipëria, Salvini shkroi një status mjaft racist në Facebook, duke deklaruar se “kriminelët bastardë po zbrazni burgjet”, duke mos pritur konfirmimin për identitetin e të arratisurit. Ai madje shkruante me shkronja kapitale se ai ishte shqiptar, me synim për të për të nxitur diskutimet anti-shqiptare në rrjetet sociale. Dikush më në fund paralajmëroi Salvinin se i burgosuri ishte italian dhe jo shqiptar, por ai nuk e fshiu këtë postim nga faqja e tij zyrtare.

Por antipatia e tij për Shqipërinë do të bëhem më e qartë në 24 qershor të 2014-ës, kur paralajmëronte se nëse vendi ynë hynte në BE, Italia do të dilte nga unioni.

 

“Shqipëria është shteti i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, pavarësisht historisë, ekonomisë, së kaluarës dhe së ardhmes së saj”, shkruante Salvini. “Jo supermarketit europian! A bëjmë një shkëmbim, ata hynë ne dalim … si thoni”, shkruante asokohe zëvëndëskryeministri.

Gjuha e ashpër ndaj emigrantëve dhe politikat për dëbimin e tyre bënë që më një dhjetor Salvini të merrte një letër kërcënuese nga disa shqiptarë. “Mateo Salvini, more finok, ke 3 shqiptarë që të janë vënë pas. Do të ekzekutohesh. Je bërë një derr homoseksual dhe brinar”, thuhet në letër.

Kryetari i partisë radikale Lega e Veriut e ka pritur me humor letrën, të cilën e ka publikuar në një nga profilet e tij në rrjetet sociale. “Një letër me kërcënime, sidomos për gramatikën e gjuhës italiane, ka mbërritur në ministri. Ne këtu vazhdojmë punën, puthje dhe përqafime”, ka komentuar Salvini.

Por pak pas publikimit të kësaj letre, disa sociologë e akuzuan për mashtrim duke thënë se në fakt lera nuk ishte shkruar nga shqiptarë dhe se Salvini e kishte publikuar qëllimisht. Duhet të thuhet se Matteo Salvini nuk ka treguar kurrë autorët e letrës, megjithatë, Enkelejda Shkrelit, profesoreshë në Universitetin e Bolonjës e akuzoi ministrin se po akuzonte qëllimisht shqiptarët, edhe pse ishte i vetëdijshëm se ajo letër mund të ishte shkruaj nga qytetarë italianë.

“Unë jam një sociologe, shqiptare, por edhe një folëse e gjuhës italian dhe prandaj i njoh mirë shqiptarët- shkruan Enkelejda Shkreli në profilin e tij në Facebook, në një postim që ka marrë mijëra komente. Ndërhyrjet ne tekst apo gabimet gramatikore nuk mund të jenë shkruar nga dora e një shqiptari. Ato duket se janë bërë një person që ka lindur dhe është rritur këtu, pasi janë gabime me bazë dialektore që një emigrant shqiptarë nuk mund t’i përvetësojë”, thotë ajo.
Por, si zakonisht, pa prova eksplicite, Matteo Salvini nuk ngurroi të linte hapësirë për mijëra komente anti-shqiptare në profilet e tij.

Dekreti Salvini prek në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarët, pasi në Itali jetojnë 460 mijë emigrantë shqiptarë, por vetëm 140 mijë e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë italiane. Duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre punojnë në të zezë, ata nuk kanë mundësi të integrohen në jetën sociale italiane, një pjesë, duke iu bashkuar shpesh herë bandave kriminale shqiptare. Kjo ka bërë që në burgjet italiane të jenë gati 2 800 shqiptarë, pothuajse njësoj sa rumunët dhe të dytët vetëm pas marokenëve.