Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka deklaruar se perimetri i sigurisë në datën 6 Dhjetor kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor, nuk do të cënohet dhe rendi do të jetë i garantuar.
Në një konferencë shtypi, Rrumbullaku foli edhe për protestën e paralajmëruar nga Partia Demokratike, për të cilën tha se ky tubim politik nuk do të pengohet, por do të zhvillohet jashtë perimetrit të sigurisë.
“Janë adresuar qindra pyetje nga qytetarë e punonjës institucionesh, që janë brenda perimetrit të sigurisë, por dhe nga qytetarë të tjerë që duan të udhëtojnë drejt Tiranës apo të dalin nga Tirana. Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurtë dhe demokratik. Nisur nga rëndësia institucionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar me maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.
Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit. Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda perimetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor.
Gjithashtu, dua të siguroj qytetarët shqiptarë se Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar .
Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar. Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, deklaroi Muhamet Rrumbullaku.
Drejtori i Policisë së Shtetit shpjegoi edhe hartën e rrugëve të bllokuara në Tiranë gjatë datës 6 Dhjetor. Rrumbullaku kërkoi mirëkuptimin e banorëve rezidencialë që bëjnë pjesë në perimetrin e sigurisë, për të cilët tha se do të lejohet që të kalojnë, por jo me automjete.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë theksoi se askush tjetër, përveç delegacioneve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe gazetarëve të akredituar, nuk do të lejohet të kalojnë në “vijën e kuqe”.
Si do të bëhet lëvizja e banorëve rezidencialë në perimetrin e sigurisë
Drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka shpjeguar hartën e rrugëve të bllokuara në Tiranë në datën 6 Dhjetor kur do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Në një konferencë shtypi, Rrumbullaku tregoi se bulevardi “Bajram Curri” që lidhet me kryqëzimin e rrugës Ibrahim Rrugova, si dhe me pjesën tjetër të rrugës së Elbasanit do të jetë tërësisht “vijë e kuqe” dhe e bllokuar.
“Perimetri i sigurisë është i përcaktuar fare qartë; bulevardi “Bajram Curri” që lidhet me kryqëzimin e rrugës Ibrahim Rrugova, si dhe me pjesën tjetër të rrugës së Elbasanit, pra ura e Lanës, do të jetë zonë totalisht nën mbikëqyrje dhe nën kontrollin policor. Kjo do të jetë vija kufizuese e perimetrit të sigurisë për të cilën Policia e Shtetit në raport edhe me konsultim të plotë me partnerët, përgjegjësit e sigurisë së autoriteteve të delegacioneve të larta që do vizitojnë vendin tonë, është zonë sigurie dhe vijë e kuqe që nuk mund të shkelet dhe është e aksesueshmë vetëm nga ata për të cilën ne kemi deklaruar dhe më parë. Aksi rrugor kryqëzimi i rrugës Bulevardi Bajram Curri me rrugën Ibrahim Rrugova do të jetë aks rrugor i kalueshëm nga automjetet në të dyja krahët me ndalim përkimi për asnjë nga përdoruesit e rrugës, ndërsa të gjitha kryqëzimet e rrugëve që lidhin aksin rrugor Ibrahim Rrugova me Bulevardin Dëshmorët e Kombit konsiderohen rrugë të bllokuara dhe perimetër sigurie për të cilën janë caktuar një sërë masash të tjera si dhe punonjës policie që do të orientojnë qytetarët për të lëvizur në aksin e trotuarit të rrugës Ibrahim Rrugova sipas interesit që do të kenë”.
Edhe kryqëzimi i rrugës së Elbasanit deri tek rrethrrotullimi i Varrezave të Dëshmorëve në Sauk do të jetë i mbyllur duke filluar nga ora 07:00 e 6 Dhjetorit.
“Perimetër tjetër i sigurisë ka të bëjë me kryqëzimin e rrugës së Elbasanit deri tek rrethrrotullimi i Varrezave të Dëshmorëve në Sauk. I gjithë ky aks duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit të datës 6 do të konsiderohet i bllokuar. Aksi përgjatë procesit të zhvillimit të samitit në raport me trafikun e mjeteve me ngarkesën që do të kemi gjatë gjithë territorit të qarkut apo të rrethit apo bashkisë së Tiranës, do të vendosim mbi bazën e saktë për të thënë që mund të kemi dhe lëvizje të automjeteve për nevoja të ndryshme, qoftë dhe ato emergjente”.
Por si do të bëhet lëvizja e banorëve rezidentë që janë brenda perimetrit të sigurisë dhe e punonjësve të administratës më 6 dhjetor? Rrumbullaku u shpreh se këta persona do të lejohet të lëvizin në këmbë pa automjete, por duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe dokumentin e punës.
“Për të gjithë rezidentët që janë brenda perimetrit të sigurisë, të cilët do të zhvillojnë veprimtarinë normale jetësore për çdo lloj nevoje dhe shërbimi që do kenë, i vetmi kufizim për gjithë rezidentët, të institucioneve shtetërore do të jetë kufizimi i lëvizjes së tyre me mjete, qofshin shtetërore qofshin mjete në përdorim vetjak. Rrugët dhe akset e mundshme të hyrjes së tyre në institucione, qofshin këto arsimore, shtetërore, gjithsecili prej tyre është i detyruar të paraqesë dokument identifikimi dhe dokumentin e vendit të punës”.