Krerët e Shteteve të Grupit të Shtatë Forcave Industriale (G7), si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, do të takohen në qytetin bregdetar francez të Biarritz nga 24 deri në 26 gusht për të marrë pjesë në samitin e 35-të të grupit.
Presidenti francez Emmanuel Macron do të mirëpresë udhëheqësit, përfshirë kryeministrin britanik Boris Johnson, Presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.
Aty do të jenë dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri italian Giuseppe Conte, kryeministri Japonez Shinzo Abe dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump.
G7 përfshin Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe SHBA.
Samiti i G7 do të përqendrohet në politikën e jashtme, tregtinë, pabarazinë, ndryshimin e klimës, zhvillimin e partnerit afrikan dhe transformimin dixhital.
Johnson ka të ngjarë të kërkojë nga BE që të rimendojë qëndrimin e saj për Brexit dhe do të këmbëngulë që Merkel të ushtrojë presion mbi Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti Trump do të theksojë rëndësinë e politikës ekonomike amerikane nën udhëheqjen e tij në një takim me drejtuesit e tjerë të G7 dhe do të inkurajojë aleatët të ndjekin modelin e Amerikës për t’u marrë me problemet në ekonominë globale, thanë zyrtarët.
Trump do të zhvillojë takime të ndara me drejtuesit nga Britania, Franca, Gjermania, Japonia, India dhe Kanadaja gjatë samitit në Francë nga e shtuna deri të hënën, u thanë gazetarëve, zyrtarë të lartë të administratës së tij, të cilët kërkuan të mbeten anonimë.
Trump do të flasë me kolegët e tij për hapjen e tregjeve evropiane, japoneze dhe kanadeze dhe për të siguruar që kompanitë amerikane të kenë një rrugë të hapur për të shitur mallra dhe shërbime, dhe që ekonomitë aleate të rriten më të forta me SHBA, raporton Reuters.
Siç raportoi AP më herët, Macron, si mikpritës, shpreson të ruajë imazhin e tij të një ndërmjetësi global në një kohë të pasigurisë së thellë politike dhe ekonomike në botë, megjithë përçmimin e hapur nga Presidenti i SHBA Donald Trump për bisedime shumëpalëshe.
Të martën, presidenti amerikan tha se do të ishte e përshtatshme që Rusia të bashkohej me grupin G7 të vendeve më të industrializuara në botë.
Kanadaja, ndërkohë, ka thënë se është akoma kundër kthimit të Rusisë në grupin e kombeve të industrializuara të botës, të njohur dikur si Grupi 8, të cilin presidenti amerikan e paraqiti si një ide për t’u konsideruar në samitin e G7 këtë fundjavë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova tha të mërkurën se Rusia duhet të konsiderojë propozime konkrete për t’u rikthyer në G7, nëse propozohet.
“Është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh tani. Prandaj është e domosdoshme që bisedimet të transferohen nga argëtimi publik në profesionist, nëse G7 dëshiron të vendoset si një format serioz”, tha ajo.
Në vitin 2014, Rusia u përjashtua nga grupi i atëhershëm G8 për shkak të aneksimit të Krimesë.