Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar vendeve të NATO-s që Kosova të përfshihet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
Në samitin e NATO të mbajtur në Madrid, kreu i qeverisë, përmes një postimi në rrjetet sociale, tregon se Presidenti amerikan Joe Biden vlerësoi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në NATO.
Biden, thotë Rama, shprehu angazhimin për të organizuar një ceremoni në lidhje me 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama përshëndeti edhe marrëveshjen e arritur mes Turqisë dhe Finlandës e Suedisë, duke i hapur rrugën dy shteteve nordike për anëtarësimin në NATO pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Kërkova që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe. Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën.
Vlerësova marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë,duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh.
Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, shkruan Rama në Twitter.