Bota Samiti në Luksemburg, Britania dhe BE optimizëm për një ujdi të re...

Samiti në Luksemburg, Britania dhe BE optimizëm për një ujdi të re për Brexit

Londra dhe Brukseli shprehin optimizëm për një ujdi të re për Brexit. Të mbledhur në Luksemburg për samitin e Bashkimit Europian, përfaqësuesit e Unionit dhe Britanisë së Madhe, theksojnë se do të punojnë deri në minutën e fundit për të arritur një divorc me marrëveshje.

Në javën vendimtare për Brexit, palët pranojnë se diskutimet janë vështirësuar nga çështja e kufirit Irlandez.

“Do të punojmë për një Brexit të rregullt deri në minutën e fundit. Por ne jemi të përgatitur për faktin që Britania e Madhe me shumë gjasë do të shfaqet si konkurrent i BE-së, pra do të sfidojë Unionin në aftësinë e tij për të konkurruar dhe në përgjegjësitë gjeopolitike”, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Arritja e një ujdie është akoma e mundur. Por natyrisht, marrëveshja duhet të funksionojë për të gjithë. Kjo është koha e duhur për t’i kthyer qëllimet e mira në dokument ligjor”, shtoi Michel Barnier, kryenegociatori për Brexit i BE-së.

“Bisedimet po vazhdojnë. Duhet t’u japim atyre hapësirë, por negociata të detajuara janë në vazhdim dhe një ujdi është akoma e mundur”, tha nga ana e tij Stephen Barclay, ministri i Britanisë së Madhe për Brexit.

Vendet anëtare shprehen se Bashkimi Europian është i përgatitur për të gjitha skenarët e mundshme, ndërsa nuk përjashtohet dhe mundësia e shtyrjes së largimit zyrtar të Britanisë. Megjithatë qeveria e Londrës e kundërshton me forcë një gjë të tillë dhe ka premtuar se Brexit do të ndodhë më 31 tetor, me ose pa ujdi.