San Marino nuk dëgjohet shpesh në lajme, përtej fundjavës kur mbahet çmimi i madh i Formula 1 me këtë emër, ose në ndonjë kuriozitet futbollistik (përfaqësuesja “kënaq” me gola çdo kundërshtar, aq sa renditet aktualisht në vendin e fundit në botë sipas renditjes të FIFA).
E rrethuar tërësisht nga Italia, ky shtet malor mban rekordin e republikës së parë në botë, me kufijtë e saj që nuk kanë ndryshuar kurrë pas vitit 1463. Së shpejti shteti mikroskopik por i pasur mund të marrë edhe një famë të re si “republika e kanabisit”.
Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me përkufizime që nga anët tona i njohim mirë, por me një legalizim i mirëfilltë i bimës narkotike.
Këshilli i madh dhe i Përgjithshëm, siç quhet në mënyre paksa mesjetare Parlamenti i shtetit të vogël, ka miratuar kërkesën e një grupi qytetarësh për të parashikuar përdorimin e kanabisit për arsye rekreative.
Kërkesa kaloi në Parlament në një moment krize politike për San Marinon, dhe duhet të miratohet ende në Këshillin e Ministrave, por në rast pozitiv parashikon mbajtjen dhe konsumimin legal në çdo ambient jo publik dhe pa praninë e të miturve të një sasie deri në 30 gram kanabis.
Iniciativa mund të finalizohej verën e ardhshme, në kohë për të tërhequr fluksin turistik që ndodhet në Rivierën e Romanjës, dy hapa nga republika më e vjetër e botës.