Një nga diamantet më të mëdha në histori sapo është zbuluar në mbretërinë e Lesotos në Afrikën jugore. Kompania e minierave “Gem Diamonds Ltd.” Gjeti gurin 910 karatësh, në madhësinë e dy topave të golfit, në minierën Letseng.
Diamanti ka një ngjyrë të tipit IIA, që do të thotë se ka shumë pak ose aspak atome nitrogjeni dhe është një nga gurët më të shtrenjtë. Ky është diamanti i pestë më i madh i gjetur ndonjëherë.
Miniera Letseng është e njohur për cilësinë dhe madhësinë e diamanteve që nxjerr dhe ka çmimin mesatar të shitjes më të lartë në botë. Kompania ka shitur në vitin 2015 një gur 357 karatësh për 19.3 milionë dollarë, ndërsa në 2006-ën gjeti një gur 603 karatësh, të quajtur “Premtimi i Lesotos”.
Për kompaninë, ky lajm ndjek zbulimin e javës së shkuar të dy diamanteve 117 dhe 110 karatësh.
Gem nuk tregoi se si do ta shesë diamantin apo për vlerën e tij. Vlera do të përcaktohet nga madhësia dhe cilësia e gurëve të lëmuar që do të priten prej tij.
Një shembull se si mund të variojë vlera e tregon kompania “Lucara Diamond Corp.”, e cila shiti një diamant 1109 karatësh për 53 milionë dollarë vitin e kaluar, por fitoi një shifër rekord prej 63 milionë dollarësh për një gur më të vogël prej 813 karatësh.
Diamanti më i madh i zbuluar ndonjëherë është guri 3106 karatësh “Cullinan”, i gjetur pranë Pretorias në Afrikën e Jugut në vitin 1905. Ai u pre për të formuar “Yllin e Madh të Afrikës” dhe “Yllin më të vogël të Afrikës”, të cilët qëndrojnë në gurët e kurorës së Britanisë së Madhe.