Aktualitet Seanca e parë e parlamentit për 2018-ën, Basha: kthim në vendin e...

Seanca e parë e parlamentit për 2018-ën, Basha: kthim në vendin e krimit

Fjalimin e parë të seancës së parë për vitin 2018-të, kryedemokrati Basha ia ka kushtuar asaj që ndodhi në seancën e fundit, zgjedhjen e Kryeprokurorit të përkohshëm nga ana e mazhorancës. “Kthim në vendin e krimit” e ka quajtur Basha seancën, duke lëshuar më pas akuza ndaj kreut të mazhorancës, gjithnjë për zgjedhjen e kreut të ri të akuzës.

“Kthehemi pas një muaji në vendin e krimit. Këtu në këtë sallë, më 18 dhjetor mazhoranca e kapur nga krimi dhe e zhytur në krim e kthyer në ndihmës të trafikantëve të drogës që mishërohet qartë nga Saimir Tahiri, kreu krimin kushtetues dhe kapi prokurorinë. Dhe që prej datës 18 dhjetor u shembën kolonat ekzistenciale të demokracisë, ndarja e pushteteve.

Njeriu që ka uzurpuar kreun e ekzekutivit, njeriu që drejton me grusht të hekurt teatrin e kukullave të grupit të tij parlamentar të dalë nga vota e blerë e 28 qershorin, drejton sot edhe prokurorinë e vendit”, tha Basha.

Opozita vijon ta konsiderojë si antikushtetuese zgjedhjen e një Kryeprokurori të përkohshëm, por deri më tani nuk bërë asnjë çap për ta çuar rastin në Kushtetuese, derisa dhe mazhoranca pretendon mbi kushtetueshmërinë e aktit.