Gonzalo Higuain do Chelsea-in, tashmë nuk ekziston më as më i vogli dyshim. Dëshira e sulmuesit argjentinas për të punuar sërish me ish-trajnerin e tij Maurizio Sarri është shumë e madhe aq sa El Pipita kërkon me çdo kusht largimin nga Milani që në merkaton e dimrit, pasi nuk ndihet më i lumtur te kuqezinjtë dhe kërkon një eksperiencë të re në një kampionat që nuk ka luajtur më parë.
Sipas asaj që raporton gazeta prestigjioze angleze Daily Telegraph kanë nisur bisedimet mes Chelsea-it dhe Juventusit, klubit që zotëron kartonin e Higuain. Blutë e Londrës duan të marrin 31-vjeçarin në formë huazimi me të drejtë blerjeje, ndërkohë që bardhezinjtë duan ta shesin në mënyrë përfundimtare.
Sarri është sponsori numër 1 i këtij operacioni merkatoje, edhe pse Chelsea nuk dëshiron t’i ofrojë më shumë se 1 vit kontratë argjentinasit duke patur parasysh politikën e klubit për lojtarët që e kanë kaluar moshën 30-vjeçare.
Në gjithë këtë tratativë ajo që është e sigurtë ka të bëjë me faktin se Higuain nuk dëshiron të qëndrojë te Milani edhe për pjesën e dytë të këtij sezoni, edhe pse gjasat janë që bomberi argjentinas të aktivizohet titullar nga trajneri i kuqezinjve Genaro Gatusso në sfidën e kësaj të shtune që Milani do të luajë ndaj Sampdorias për raundin e 1/8-ave të Kupës së Italisë në stadiumin Marassi.