Pritej të kishte një luftë të vërtetë për prishjen e kontratës mes Maurizio Sarrit dhe Juventusit, por nuk është kështu, pasi palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje që do t’i lironte nga detyrimet ligjore ndaj njëri-tjetrit.
Bashkëpunimi mes palëve zgjat deri në verën e 2022-shit, por Juventus vendosi të shkarkojë trajnerin këtë verë, për t’i besuar pankinën Andrea Pirlos, ndërsa tani Sarri nuk ka ndërmend të rrijë gjatë me pushime.
Pikërisht për këtë arsye tekniku është shprehur i hapur për prishjen e parakohshme të kontratës, me kushtin që të marrë rrogën e njërit nga dy vitet e mbetura, zgjidhje kjo që është pëlqyer edhe nga drejtuesit e Juves.
Ndërkohë mediat në Itali raportojnë se Sarri është kontaktuar edhe nga drejtuesit e Fiorentinës, të cilët janë gati t’i besojnë drejtimin e skuadrës nëse gjërat për Giuseppe Iachinin do të vijojnë kështu si kanë nisur, me rezultate aspak të mira.