Vojceh Shezni e ka nisur kampionatin duke e mbajtur portën të paprekur, por sivjet portieri i Juventusit pret një rol tjetër në fushën e lojës, sepse trajneri Mauricio Sarri i kërkon jo vetëm garanci në portë, por që të jetë edhe më tepër aktiv në lojën me këmbë, si rrjedhojë e ideve që ai ka sjellë:
“Me Sarrin ka ndryshuar gjithçka dhe realisht po punojmë shumë dhe në drejtimin e duhur. Po ndryshojmë totalisht stilin e lojës sonë kundrejt viteve të kaluara dhe unë jam i bindur se e ardhmja me Sarrin në krye të skuadrës sonë do të jetë edhe më e bukur, më spektakolare. Që në ditët e para, idetë e trajnerit tonë më kanë mahnitur, madje jo vetëm mua, por të gjithë. Ai kërkon që vija e mbrojtjes të jetë shumë larg portës sime, në mënyrë që presingu ndaj kundërshtarit të bëhet në një zonë sa më të ngushtë që të jetë e mundshme. Në të njëjtën kohë, kur na duhet të qarkullojmë topin në zonën tonë, edhe mua sivjet më kërkohet që të luaj shumë më shumë me këmbë. Sarri kërkon që edhe portieri të jetë pjesë e shpërndarjes së lojës.
Sfida për titullin kampion? Në vitet e fundit rivalja jonë e vetme ka qenë Napoli, prandaj ne presim me padurim që të përballemi me ta të shtunën në mbrëmje. Gjithsesi, sivjet edhe Interi është forcuar, ndaj gara pritet që të jetë edhe më e bukur sesa në vitet e kaluara”, u shpreh portieri polak i Juves.