Bota 1 Tetori komunist kinez, çfarë pritet të ndodhë në Pekin

1 Tetori komunist kinez, çfarë pritet të ndodhë në Pekin

Kina do të mbajë një nga paradat më të mëdha ushtarake ndonjëherë për të shënuar 70-vjetorin e Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor, tha qeveria kineze.

Parada do të jetë më e madhja në disa dekada, tha Cai Zhijun, zëvendësdrejtor i zyrës për organizimin e saj, raporton DPA.

Deri më tani, parada më e madhe ushtarake e udhëhequr nga komunistët e Kinës u mbajt në 2015 për të shënuar 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në atë kohë, më shumë se 12,000 ushtarë, 200 avionë ushtarakë dhe 500 automjete të blinduara kaluan nëpër Pekin.

Të gjitha pajisjet ushtarake që do të shfaqen në 1 tetor do të jenë prodhim kinez dhe disa prej tyre do të zbulohen për herë të parë, njoftoi qeveria.

Sipas të njëjtit burim, Presidenti Kinez Xi Jinping do të bëjë një “fjalim të rëndësishëm” me rastin.

Udhëheqësi komunist Mao Ce Dun shpalli themelimin e Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949, pasi fitoi një luftë civile kundër nacionalistëve, të cilët më pas u larguan në Tajvan.