Pas fitores së vuajtur ndaj Veronës të shtunën, Juventusi do të udhëtojë nesër drejt Brescias, për t’u përballur me skuadrën vendase në stadiumin “Rigamonti”, ndërsa trajneri Maurizio Sarri ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp.
E keni ndarë mendjen për formacionin që do zbresë në fushë nesër?
Dua të gjithë të dhënat nga stafi i përgatitësve dhe më pas do të vendos me qetësi. Është momenti të krijojmë vazhdimësi, por duhet të bëjmë edhe disa vlerësime të rëndësishme, për të mos rrezikuar. Dje 7-8 futbollistë që ishin pushim të shtunën ,u stërvitën mjaft mirë, ndaj duhet t’i kemi në konsideratë.
Si e prisni transfertën ndaj Brescias?
Është një skuadër që bën shumë punë mbrapa, ka punuar mirë dhe luan shumë e organizuar. Rikthimi i Balotellit mund t’i japë një shtysë të re gjithë ambientit, ndaj duhet të bëjmë kujdes.
Ronaldo, Bonucci e Matuidi kanë luajtur të gjithë takimet. A mendoni se ka ardhur momenti t’i lini pushim?
Ronaldo ka një shqetësim të vogël muskulor, që është normal pas 3 ndeshjesh në 7 ditë, megjithatë do të bëjmë vlerësimet para se të vendosim, si për të, ashtu edhe për të tjerët.
I keni ndarë detyrat mbi ekzekutorët e goditjeve të dënimit dhe penalltive?
Zakonisht goditjet nga krahu i djathtë i gjuan Ronaldo ose Pjaniç, ndërsa në të majtë Bernardeschi ose Dybala. Për penalltitë kemi Ronaldon gjuajtës të parë, por varet nga situata, pasi shumë vendime merren edhe në fushë.
A ka ndonjë lojtar tjetër po kaq të rëndësishëm sa Ronaldo?
Taktikisht në fazën e ndërtimit të lojës, është shndërruar Matuidi. Douglas Costa po bëhej shumë i rëndësishëm, por u dëmtua. Në aspektin mental na mungon shumë Giorgio, por gjithsesi kemi kapacitete për t’i zëvendësuar të gjithë.