Juventusi vazhdon marshimin. Ndaj kuqezinjve vuajti vërtet, prodhoi edhe çështjen “Ronaldo”, që mund t’i prishë ekuilibrat në vazhdim, por ia doli t’i përgjigjet Interit dhe të ruajë kreun e renditjes. Kjo ishte fitorja e 13 në 16 ndeshje të luajtura në total, në të gjitha garat, nga trajneri Sarri në stolin e bardhezinjve. Një sukses mbresëlënës, që pozicionohet i dyti, vetëm pas Jesse Carver, në drejtimin e Juventusit.
Ish-trajneri anglez mban rekordin me 14 fitore dhe dy barazime (të gjitha në Serie A), të regjistruara në sezonin 1949-1950, në 16 ndeshjet e para. Në sezonin e parë në timonin e “Zonjës së Vjetër”, Sarri po arrin rezultate mbresëlënëse. Juventusi është skuadra e vetme, akoma e pamposhtur. Pra, norma e suksesit të Sarrit është 77%, ndërsa ajo e Jesse Carver më 1949, 84%. Parametri që merret në konsideratë është ai i përqindjes së fitoreve.
Carver e kishte filluar aventurën e tij bardhezi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai e mbylli me 76 ndeshje të drejtuara dhe një mesatare prej 2.2 pikësh të fituara për lojë. Më pas pati përvojat e tjera italiane te Torino, Roma, Lazio, Inter dhe Genova.