Maurizio Sarri është një integralist, një estetist i taktikave të futbollit. Juventusi i tij ende nuk ka arritur të jetë një mekanizëm i përsosur, në të cilin ingranazhet të përshtaten së bashku për të krijuar atë bukuri të kërkuar nga trajneri i tij. Në një intervistë të gjatë për “Sky Sport”, Sarri mori në analizë pjesën e parë të sezonit debutues në stolin bardhezi, duke zbuluar edhe qëllimet që i ka vendosur vetes për vitin 2020.
Fitimi i çdo kompeticioni, sipas traditës së Juventusit, duhet të jetë “diktati” për vitin e ardhshëm: “Ne jemi ende në një fazë ulje-ngritjesh. Ka momente në të cilat luajmë si ekip dhe të tjera kur shfaqemi më pak të tillë. Është normale, nuk bëhet gjithçka menjëherë. Liverpool i Klopp është rritur me kalimin e kohës dhe sot është në majën e botës. Ne jemi një ekip, që dëshiron të fitojë, pavarësisht se e dimë që nuk është kurrë e lehtë në Europë. Liga e Kampionëve duhet të jetë një qëllim, por me vetëdije se ka rreziqe për shkak të cilësisë së lartë të kundërshtarëve”.
Referenca e trajnerit të Juventusit te Liverpool i Klopp nuk është aksidentale. Para se të shkonte për të fituar Ligën e Kampionëve dhe Botërorin e Klubeve, trajnerit gjerman iu dha koha të bëjë edhe gabime me “Reds”. Në sezonin e parë të tij, Liverpool përfundoi në vendin e tetë në kampionat dhe humbi finalen e “Europa League”. Në sezonin e dytë arriti vendin e katërt në Premier League, ndërsa në sezonin e tij të tretë, “Reds” arritën finalen e Champions-it. Sezonin e kaluar fituan trofeun më të lakmuar në Europë, Champions-in.
Humbja në Superkupën Italiane e ka ekspozuar Sarrin ndaj disa kritikave, përfshirë ato më të rëndat e ish-lojtarit të Chelsea, Rob Green, të cilat, megjithatë, nuk e kanë gërvishtur besimet e ish-trajnerit të Napolit në potencialin e “Zonjës së Vjetër”. Ambicia romantike për ta dërguar Juventusin drejt fitores, duke e dominuar kundërshtarin, është qëllimi kryesor i trajnerit italian. Një aspekt që e shqetëson Sarrin janë golat e pësuar në zonën e vogël: “Ne duhet të vazhdojmë të fitojmë dhe të bindim. Fitorja me mbizotërim ndaj kundërshtarit është ajo që dua. Gjë e veçantë është që ne pësojmë gola në zonën e vogël, një detaj që te Juventusi nuk është parë kurrë vitet e fundit. Ne duhet të përmirësohemi në këtë kontekst me rritjen e elementeve të rinj si Demiral dhe De Ligt”.