Fantazisti i Kombëtares shqiptare që luan për Empolin, Nedim Bajrami, është një nga emrat më të lakuar në merkaton e Serisë A dhe në fund të sezonit ai pritet të ndryshojë skuadër. Sassuolo ka dalë hapur për futbollistin kuqezi, një nga të preferuarit e trajnerit Dionisi.
Drejtuesit e Sassuolos, sipas “Gazzetta dello Sport”, e kanë Bajramin në krye të listës, pasi po kërkojnë zëvendësuesin e Djuricic, që pritet të largohet në fund të kampionatit. Edhe pse vlera e lojtarit kuqezi i ka kaluar tashmë 10 milionë euro, te Sasuolo janë të bindur për ta bërë këtë investim, madje kërkojnë të lëvizin shpejt për të shmangur rivalitetin me klube të tjera.
Një tjetër klub që është gati të bëjë “çmenduri” për Bajramin është Cagliari. Klubi sard pret të arkëtojë milionat nga shitja e Nandez dhe të bëjë më pas një goditje të madhe në merkato, por për futbollistin e Kombëtares sonë kjo pistë nuk duket se pëlqehet shumë.
Pas paraqitjes së mirë me Empolin në Serinë B dhe tani në Serinë A, sidomos në javët e fundit, me asiste dhe gola, Bajrami ka vënë në lëvizje klube më të mëdha të kampionatit italian. Ai ka karakteristikat e një 10-shi klasik, që në futbollin italian po mungon gjithmonë e më shumë. Kalimi në një klub më të madh se Empoli sigurisht që do të ndikonte në rritjen profesionale të fantazistit dhe kjo do t’i bënte mirë edhe Kombëtares kuqezi.