Qeveria gjermane po çon përpara marrëveshjen e kontestuar për t’i lejuar një kompanie shtetërore kineze marrjen e portit të Hamburgut.
Pas një përplasjeje të brendshme (aleatët e gjebër dhe liberalët janë kundër), gjigantit kinez “Cosco” po i ofrohet një kuotë e reduktuar e aksioneve, 24.9% nga 35% që ishte oferta fillestare.
Bëhet fjalë për një nga investimet më të fundit që Kina synon të bëjë në nyjet e tregtisë detare në Evropë, disa prej të cilave ndodhen tërësisht nën kontrollin e saj.
Kancelari Olaf Scholz, që mbështet blerjen, do të udhëtojë drejt Kinës muajin e ardhshëm bashkë me një delegacion biznesmenësh gjermanë.
Por partnerët e koalicionit qeverisës kanë paralajmëruar për rrezikun e rritjes së influencës kineze në infrastrukturën gjermane.
“Ne e kemi mësuar se vartësia nga vendet që mund të vendosin në plan të parë interesat e tyre dhe që më pas përmes kësaj vartësie të na shantazhojnë nuk është më një fenomen abstrakt. Shihni rastin e gazit rus. Është një realitet. Nuk duhet të përsërisim të njëjtat gabime”, thotë Robert Habeck, ministër i Ekonomisë në Gjermani.
Depërtimi në rritje i Kinës në portet evropiane ka shkaktuar debate brenda Bashkimit Evropian. Liderët e vendeve anëtare po përpiqen të vendosin një balancë mes tërheqjes së bizneseve kineze dhe kufizimit të impaktit të tyre në jetën tregtare të bllokut.