Bota Putin vëzhgon stërvitjen bërthamore në Rusi, paralajmëron rrezikun e lufte globale

Putin vëzhgon stërvitjen bërthamore në Rusi, paralajmëron rrezikun e lufte globale

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbikëqyrur stërvitjet vjetore bërthamore të forcave strategjike bërthamore të Rusisë, në kohën e rritjes së tensioneve me Perëndimin, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Raketat balistike dhe ato lundruese janë nisur nga lindja e largët e Rusisë dhe Arktiku, ka thënë Kremlini.

Shtetet e Bashkuara janë njoftuar për këto stërvitje, sipas traktatit për armët, Starti i Ri. Këto testime janë kryer teksa Rusia ka bërë pretendime të pabazuara se Ukraina është duke planifikuar përdorimin e “bombave ndotëse”.

Bombat ndotëse janë pajisje shpërthyese, të përziera me material radioaktiv.

“Rreziku i një konflikti botëror mbetet shumë i lartë”.

Ndërkohë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dhënë dhe një alarm gjatë një mbledhje të këshillit të shefave të agjencive të sigurisë dhe shërbimeve sekrete të ish-vendeve të Bashkimit Sovjetik.

“Rreziku i një konflikti botëror mbetet shumë i lartë”, paralajmëroi ai.

“Po shfaqen rreziqe dhe sfida të reja për sigurinë kolektive, kryesisht për shkak të një përkeqësimi të fortë në gjeopolitikën globale”, tha Putin.

Shefi i Kremlinit ktheu vëmendjen nga Ukraina, duke e akuzuar atë se është kthyer në një instrument i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ukraina ka humbur sovranitetin e saj”, tha Putin. Kjo mbledhje erdhi pasi presidenti rus mbikëqyri stërvitjet e kryera nga forcat strategjike bërthamore të vendit. Në një deklaratë, Kremlini nënvizoi se të gjitha objektivat ishin përmbushur dhe se raketat kishin goditur shënjestrat e tyre.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Sergej Shoigu, konfirmoi se ushtarët rusë po praktikonin lëshimin e një sulmi masiv bërthamor, si kundërpërgjigje ndaj një shënjestrimi armiqësor nuklear të mundshëm. Gjatë stërvitjes janë lëshuar raketa ndërkontinentale Yars, nëndetëse dhe avionë bombardues Tupolev. Kjo vjen mes një situate mjaft kritike me Moskën që akuzon vazhdimisht Ukrainën se po planifikon të përdorë një “bombë të pisët”, duke ju referuar një bombe me materiale radioaktive. Por nuk kanë dhënë asnjë provë për këtë dhe po vlerësohet gjerësisht nga Perëndimi si fabrikim i një preteksti nga Rusia për të përdorur armë të ndaluara në luftë.

Madje Kremlini ka shtuar akuzat duke e konsideruar prezencën e trupave amerikane në Rumani, një rrezik për vendin. Këtyre pretendimeve të Moskës, i është përgjigjur NATO, që i bën thirrje Putin të mos përdorë pretekste false për përshkallëzimin e luftës. “Aleanca do t’i mbrojë të gjithë aleatët”, siguron organizata ushtarake duke nënvizuar se nuk do të intimidohet në mbështetjen e Ukrainë.