Teksa Europa lufton për të furnizuar Ukrainën me municion, gjigandi gjerman “Rheinmetall” po investon në afatgjatë, duke ndërtuar një fabrikë të re predhash artilerie me ambicie për të dhjetëfishuar prodhimin.
Në kompleksin më të madh të industrisë së mbrojtjes të vendit në Uderlis të Gjermanisë veriore, kancelari Olaf Scholz vuri të hënën gurin e themelit.
Nga viti 2025, ky kompleks pritet të prodhojë municion për armë të kalibrit 155 mm dhe qëllimi është që prodhimi të rritet në mënyrë progresive duke arritur deri në 200,000 fishekë në vit.
Sipas kancelarit gjerman ky është një “sinjal” për europianët, të cilëve po u kërkohet tani me zë të lartë që të forcojnë bazën industriale mbrojtëse të kontinentit, duke vënë theksin tek porositë afatgjata.
“Ne duhet t’i drejtohemi prodhimit të armëve në një shkallë të gjerë”, lideri gjerman.
Pavarësisht miliarda eurove të alokuara për dërgimin e armëve nga vendet e BE-së në Ukrainë pasi ushtria ruse pushtoi territorin e saj, shtetet anëtare janë ende larg arritjes së një kapaciteti prodhimi të mjaftueshëm për të rimbushur rezervat e tyre.
“Është një nevojë urgjente. Sado i ashpër të jetë ky realitet, ne nuk jetojmë në një kohë paqeje”, theksoi kancelari Scholz, i cili denoncoi edhe një herë ambiciet perandorake të presidentit rus Vladimir Putin, duke i cilësuar ato një “kërcënim të madh”.
“Kushdo që dëshiron paqe duhet të arrijë të pengojë agresorët e mundshëm”, ishte kushti për Europën që Scholz e shprehur më qartë se kurrë më parë.
“Për këtë duhet të ketë bashkëpunim më të ngushtë industrial të 27 vendeve”, vazhdoi ai.