Aktualitet SPAK kërkoi dënimin e tij me 2.6 vite burg, zbardhet dëshmia e...

SPAK kërkoi dënimin e tij me 2.6 vite burg, zbardhet dëshmia e plotë e Belerit në gjyq

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar një dënim me 2.6 vite burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri dhe dy vite burg për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, të dy të akuzuar për korrupsion në zgjedhje.

Përpara se Prokuroria të kërkonte dënimin e Belerit, ky i fundit i ka kërkuar gjykatës se procesi ndaj tij është i njëanshëm. Sipas tij, gjykata nuk ka marrë provat e paraqitura nga avokatët e tij. Prokuroria i ka thënë gjykatës se Beleri ka bashkëpunuar me Arsen Ramën, i penduari i drejtësisë.

Bëhet fjalë për të paktën 8 vota, sipas një liste të paraqitur nga Arsen Rama. Për këto vota i është ofruar një shumë prej 50 mijë eurosh.

“Të nderuar gjyqtarë! Bazuar në nenin 358 të Kodit të Procedurës Penale dua të deklaroj se edhe në seancën e shkuar që i dhatë fund marrjes së provave ju u treguat të njëanshëm dhe të paligjshëm ne vendimmarrje. Vëmendja juaj është e përqendruar se si reagon prokuroria ndaj mbrojtjes time dhe provave që kërkoja të merreshin.

Ju rrëzuat kërkesat më elementare të provave të një procesi gjyqësor, kryerjen e akteve të ekspertimit. Ju nuk pranuat sepse nuk pranoj prokuroria kryerjen e akteve të ekspertimit. Ju nuk pranuat sepse nuk pranoi prokuroria të sillte pajisjet dhe mjetet e përgjimit të cilat nuk i ka. Prokuroria as nuk i citoi se çfarë mjetesh ishin se nuk i ka.

Nuk pranuat ta thërrisnit dëshmitarin Arsen Rama, për të sqaruar foton e supozuar me mua, në ballafaqim me personazhin e vërtetë të fotos, shtetasin Thoma Bogdani. Kjo sepse nuk lejoj prokuroria. Se aty ka dhe vepër penale, por ju as nuk e kallëzoni dhe prokuroria as e heton vetë.

Nuk vepruat me urdhër për ta marrë provën për mënyrën e pagesës së paligjshme të dëshmitarit nga Policia e Shtetit. Lejuat që mos ta sillnin këtë prove të paligjshmërisë së tyre, sic lejuat dëshmi të rreme dhe akte të falsifikuara te administroheshin ne proces.

Ju nuk e lejuat aktin e ekspertimit për akte që qartësisht janë të falsifikuara. Se u keni dhënë garanci atyre që falsifikojnë sa te jemi ne këtu s’ju gjen gjë. U provua në seance se dëshmia ime e penalitetit ishte falsifikuar.

U paraqit dëshmia e penalitet e datës 03.04.2023 te KQZ, sipas të cilës rezultoj “i padënuar”. U paraqit dhe dëshmia e penalitetit që Prokuroret Special i kanë dhënë me shkresë avokatëve të mi, e datës 23.05.2023, sipas të cilës rezultoj “i padënuar”. Vetëm kaq mjaftonte që të bëhej kundërshtimi i dëshmitares Anila Paci herën e kaluar, dhe te merrej në përgjegjësi penale personi që falsifikoi.

Me kërkesën e prokurorit Kondili, ju z. Kryetar, përjashtuat gjyqtaren Gjoka në kundërshtim me vendimin e Kryetares Apelit Posaçëm, që nuk e miratoi dorëheqjen e gjyqtares nga gjykimi i ankimit kundër vendimit të mosfillimit, duke shkelur kështu parimin e hierarkisë gjyqësore.

Siç shprehet dhe kryetarja e Gjykatës së Apelit të Posaçëm në vendimin që refuzoi dorëheqjen e gjyqtares, që ndoshta znj. Gjoka do të mund të përjashtohej nga gjykimi i çështjes themelit në të ardhmen në qoftë se do të ushtrojë vendimmarrje të caktuara.

Ju po zhvilloni një proces të paligjshëm, të dënueshëm dhe të porositur nga Kryeministri Rama, duke administruar dëshminë e rreme të Abdyl Ramës, kjo pasi gjyqtarja Gjoka e mbajti 2 muaj në duar, ankimin kundër vendimit të mosfillimit të procedimit penal në lidhje me kallëzimin tim, për deklarim të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore kundër shtetasit Abdyl Rama, pa dhënë vendim.

Ndaj për këtë shkak, duke ndikuar me vendimin tuaj në një proces të paligjshëm dhe të dënueshëm prej 2 muajsh kam bërë kallëzim për ju, gjyqtaren Gjoka, dhe prokurorin Kondili. Deri me sot unë akoma nuk kam asnjë informacion se çfarë është bëre me këtë kallëzim. Ju, duke mos qenë dhe duke mos u sjell asnjëherë si gjykatë e paanshme, pas kallëzimit tim cënuat dhe deformuat më tepër procesin gjyqësor ndaj meje.

Ju në një vendim historik për paligjshmërinë, refuzuat lejen time për të bërë betimin. Duke u zgjedhur me kujdes si një trupë e posaçme për këtë ngjarje të posaçme, shkuat edhe me tej i thatë në vendim kryeministrit si të zgjidhë hallin e tij, pa qenë palë në proces.

Se si ta mbajë pa zgjedhje Bashkinë e Himarës edhe pas 1 viti. Po ashtu u kujdesët që ky vendim i juaj i “posaçëm” ti shkonte në dorë kryeministrit para meje që isha palë. Vendim dhe veprim politik. Për këtë arsye ju nuk duhet të jeni gjyqtaret që do jepni një vendim për mua.

Gjyqtarja e Apelit Posaçëm znj. Shirka e la në fuqi refuzimin tuaj për të më dhënë leje kushtetuese për të kryer betimin. Me gjithë ngjyrimin politik , gjyqtarja Shirka nuk e mbajti mbi vete gjithë peshën antikushtetuese dhe nxitjen e sulmit ndaj institucioneve që burojnë nga zgjedhjet vendore, duke ju “qortuar” juve për pjesën e vendimit tuaj për hallin e kryeministrit.

Ajo ja u la ju atë pjesë të paligjshme të vendimit, si trupë gjyqësore dhe prokurorë te posaçëm të zgjedhur ne mënyrë te posaçëm, për këtë çështje të posaçme nga kryeministri, për të mbajtur pa votë Bashkinë Himarë.

Ne vendim gjyqtarja shprehet se “Gjykata e Posaçme e Apelit vlerëson se trajtimi i dhënë rastësisht në një vendim që nuk ka lidhje me objektin e kërkimit është i panevojshëm dhe nuk ka efekt detyrues në asnjë proces tjetër, pasi gjykata zgjidh çështjen konform shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i ankimit, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej ankuesit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar. “

Edhe për këtë pjesë të vendimit qe ju ka “qortuar” Apeli, ju s’duhet të jeni gjyqtarë në vendimmarrje ndaj meje.

Jeni kaq të tensionuar në seanca, sa duket hapur që nuk jeni gjykatë e paanshme. Ne kemi bërë disa procese gjatë një viti edhe me gjyqtarë të tjerë, të cilët kanë rrëzuar kërkesat tona, por mënyra si ju drejtoni seancën, tregon hapur qe jeni nën presion dhe me vullnet të vesuar nga paligjshmëritë dhe falsitetet e këtij procesi që u detyruat të mbyllni. Ju bërtisni dhe humbni qetësinë, siç e cituat vetë seancën e kaluar.

Ndryshe nga gjyqtarë të tjerë që na kanë lejuar të bëjmë gjyq, të paraqesim dhe kërkojmë, debatojmë prova, pavarësisht se në fund kanë rrëzuar kërkesat tona (kjo sepse procesi është i motivuar jo vetëm politikisht ndaj meje, por edhe nga grupe interesi që cënohen nga zgjedhjet e lira ne Himarë).

Botues e pronarë mediash që grabisin pronat e Himariotëve, ministra dhe kriminelë ndërkombëtare që e duan Himarën me çdo kusht. Ju po me mbani prej një vit në burg politik të paligjshëm, si asnjë tjetër në 33 vjet.

Nuk lejuat betimin tim për të marrë mandatin. Pranuat në gjykim akte të falsifikuara. Ju edhe kur i gjejmë ne falsifikimet e policisë dhe të prokuroreve për të më mbajtur mua në burg, nuk doni ti hetoni dhe kallëzoni. Administruat dëshmi të rreme dhe dëshmitarë të paguar. Duke me mbajtur mua në burg prej një viti menduat qe do dalë ndonjë prove rrugës. Por gjatë këtij viti dolën vetëm “marulet” e turpshme të prokurorisë.

Ju shikoni prokurorinë në sy, përpara se të shpreheni në lidhje me kërkesat e mia. Shikoni prokurorinë në sy edhe kur juristët e burgut ju thanë qartë se s’donin te shtyhej seanca. Ju lexuat në sytë e prokurorëve dëshirën e juristit te burgut për të “shtyre” seancën derisa kryeministri të gjente raste të ngjashme në Europë se si të zgjidhi ngërçin e Himarës dhe të ja u bënte gati arsyetimin e vendimit.

Për ju nuk është e rëndësishme dhënia e drejtësisë, pasi duket qartë që ju nuk mundoheni as të duket sikur po jepni drejtësi. Për ju nuk është as e rëndësishme për të respektuar parimet kushtetuese, të një procesi të rregullt ligjor, në asnjë aspekt të tij. Për ju është e rëndësishme që të plotësoni dëshirat dhe të zbatoni urdhrat e kryeministrit për të mbajtur peng Bashkinë e Himarë. Në këto kushte një pjesë e prokurorisë dhe Kryeministri besojnë te drejtësia juaj. Ata janë të vetmit tashmë që besojnë dhe thonë që kjo është histori e Belerit me drejtësinë.”, tha në fjalën e tij në sallën e gjyqit, Fredi Beleri.

Këtë të martë u zhvillua seanca ku u dhanë konkluzionet për Belerin, nga dy prokurorët e posaçëm, Adnand Xholi dhe Dorina Bejko.

Ndërkaq, për Pandeli Kokaveshin, SPAK kërkoi dënimin me 2 vite burg. Por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe të djalit, SPAK i kërkoi gjykatës pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për 4 vitet e ardhshme. Seanca e radhës do të mbahet më 28 shkurt, në orën 14:30.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota.

Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia.