Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë të dielën se presidenti rus, Vladimir Putin nuk e ka kërcënuar as atë dhe as Gjermaninë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një intervistë për gazetën gjermane, Bild. Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se lideri rus e ka kërcënuar atë me sulm raketor që do të mund të ndodhte “brenda një minute”.
Kremlini ka thënë se Johnson ka gënjyer. Scholz ka thënë se në bisedimet që ka pasur me Putinin, e ka bërë të qartë se ata kanë qëndrime shumë të ndryshme për luftën në Ukrainë.
“E bëj shumë të qartë për Putinin që Rusia është përgjegjësja e vetme për luftën”, ka thënë Scholz.
“Rusia e ka pushtuar fqinjën e saj pa arsye, për të marrë disa pjesë, apo gjithë Ukrainën nën kontrollin e saj”, ka thënë Scholz.
Gjermania beson se veprimet e Rusisë e shkelin kornizën evropiane për paqe, andaj edhe i ka ofruar Ukrainës ndihmë financiare, humanitare dhe ushtarake.
Scholz ka thënë se ekziston një marrëveshje me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky që armët e siguruara nga Perëndimi, duhet të përdoren vetëm në territorin ukrainas, dhe jo atë rus.
“Kemi konsensus në këtë aspekt”.
Pas presionit në rritje, Qeveria gjermane ka miratuar së fundi vendimin për dërgim të tankeve moderne Leopard 2 në Ukrainë. Scholz ka thënë se dërgimi i këtyre armëve është koordinuar me kujdes bashkë me aleatët perëndimorë, ashtu që të shmangen përshkallëzimet e mëtejme.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.