Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka qenë mbrëmë në zonën “Ish-Bllok” dhe zona të tjera të Tiranës, ku u ka kërkuar drejtuesve të DVP Tiranë, masa më të shtuara në fundjavë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nisur nga shtimi i rasteve me koronavirus gjatë ditëve të fundit kreu i policisë së shtetit u ka kërkuar punonjësve të Policisë në terren një impenjim më të madh në fundjavë kur në këto zona pritet të ketë edhe grumbullim më të madh njerëzish.
Duke marrë parasysh festën e Halloween-it, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar të gjitha strukturat në të gjitha qarqet që të marrin masa për të mos lejuar organizime e festime, pasi janë burim potencial për të përhapur virusin COVID-19.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 dhe 2, si dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, gjatë mbrëmjes së djeshme, kanë vendosur 85 masa me vlerën 3.000 lekë secila për të rinjtë që qarkullonin pa respektuar distancimin social dhe pa vendosur maskë.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 u vendosën 3 gjoba me vlerë 1.000.000 lekë secila, për tre administratorë të lokaleve që gjatë kontrolleve pas orës 20:00, shërbimet e Policisë i kanë konstatuar me muzikë dhe pa respektuar protokollet e sigurisë”, bën me dije policia.