Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, gjatë një interviste për mediat, në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi, bëri me dije se shumë shpejt qeveria do t’iu kërkojë të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi për më shumë se 4 muaj dhe pranoi se shërbimi kombëtar i shëndetit ka mangësi në ventilatorë, një aparat shumë i nevojshëm për personat e prekur me Covid-19.
Sipas Sekretarit të Shëndetësisë, të moshuarit mbi 70 vjeç do të duhet të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre për më gjatë edhe nëse nuk shfaqin simptoma, pasi janë pikërisht ata personat që rrezikohen më shumë nga kjo sëmundje.
“Nuk duam ta shpallim që tani këtë urdhër pasi nuk është diçka e lehtë, por me të gjitha gjasat, një njoftim i tillë mund të vijë brenda pak javësh”, u shpreh Hancock.
Ndërkohë qeveria ka nxjerrë një thirrje emergjente për kompanitë farmaceutike në Britani, të cilave iu kërkon prodhimin sa më shpejt të ventilatorëve, si një mjet jetik në përballjen me këtë virus.
Ministri i Shëndetësisë deklaron se aktualisht janë në dispozicion 5000 makineri të tilla, por të dhënat tregojnë se kërkesat për të mund të jenë shumë herë më të mëdha. Ai shtoi se edhe pse koha nuk premton në prodhimin e një numri të madh pajisjesh, qeveria do të caktojë një fond për blerjen e tyre.