Sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel ka fituar në rrugë ligjore luftën e saj ndaj një bosi të krimit të organizuar, i cilit siç shkruajnë mediat, është shqiptar. Daily Mail shkruan se Patel i ka hequr të drejtën gangsterit shqiptar që të jetojë në Britani pasi ka bindur gjykatën se ky person është një rrezik serioz për sigurinë e qytetarëve britanikë.
Mediat i referohen shqiptarit si “B9” dhe nuk e kanë publikuar identitetin e tij. Një raport i Komisionit të Apelimit të Emigracionit ka zbuluar rolin e “B9” në rrjetin kriminal që ka shpërndarë drogë të klasit A në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Po ashtu, mediat shkruajnë se 36-vjeçari është përfshirë në trafik njerëzish, pastrim parash dhe prodhim kanabisi.
Sipas mediave angleze, 36-vjeçari nga Hasi kishte fituar lejen e qëndrimit pasi ishte martuar një shtetase lituaneze.
Gjykatës iu tha se ‘B9’ ishte i lidhur me një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës, ndërsa një prej kushërinjve të tij po vuan një dënim 10 vjeçar në Belgjikë për trafik njerëzish.
NCA ka filmuar dhe fotografuar në Londër një takim të B9 me një biznesmen shqiptar me origjinë nga Tropoja, i skeduar nga SHISH dhe policia shqiptare si i përfshirë në trafik kokaine. Ky biznesmen zotëron shumë prona në zemër të kryeqytetit shqiptar.
I njohur për dhunën, “B9” mendohet se ka vrarë me thikë një shtetas bullgar në një klub nate. Më vonë, atij i janë gjetur pamje duke pozuar me një kallashnikov. Detektivët kanë zbuluar se 36-vjeçari shqiptar është takuar me përfaqësues krimi dhe ka përdorur teknika udhëtimit kundër survejimit, duke rritur e më pas ulur shpejtësinë.
Këtij qytetari iu dha karta e rezidentit në vitin 2017, mirëpo tashmë mendohet se jeton në Tiranë. Ai mohon që të jetë përfshirë në krim. Sipas mediave britanike, ky rast ka ekspozuar influencën e jashtëzakonshme të krimit të organizuar. “Ne mendojmë që ky person ka qenë anëtar i lartë i një grupi kriminal i përfshirë në krime serioze në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Chris Farrimond, zv/drejtor i hetimeve në Agjencinë Kombëtare të Krimeve.