Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka kërkuar pezullimin nga detyra të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha.
Ministri i ka kërkuar Ramës të ndërhyjë pasi Juliana Hoxha edhe pse figuron e 25- ta në listën e kandidatëve PS-në në qarkun e Tiranë, vazhdon të ushtrojë detyrën e saj si Sekretare e Përgjithshme pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Por nuk ka vonuar dhe përgjigja publike e Juliana Hoxhës përmes një deklarate për shtyp. Zonja Hoxha i kujton ministrit të Drejtësisë se ajo ushtron detyrën në përputhje me ligjin “Për nëpunësin civil” njëherazi nëpunësi më i lartë civil në administratën e kësaj ministrie. Në lidhje me akuzat e ministrit të Drejtësisë, zonja Hoxha shkruan se ushtron detyrën në përputhje me ligjin pasi ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në cilësinë e organit publik të ngarkuar nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, Ministrin e Drejtësisë, Departamentin e Administratës Publike si edhe Komisionin Kombëtar të Përzgjedhjes, se ka hequr dorë nga kandidimi politik dhe nga çdo e drejtë apo detyrim që rrjedh pas saj duke vijuar me profesionalizëm detyrën e saj në shërbimin civil. Ajo thekson se gjatë fushatës zgjedhore administrata publike duhet të qëndrojë jashtë politikës ashtu edhe politika nuk mund të sulmojë administratën.
Në reagimin e saj Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë i bën apel ministrit teknik të jetë në dijeni të kuadrit ligjor në fuqi që rregullon marrëdhëniet ligjore në shërbimin civil të nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, pasi kërkesa e tij për ndërhyrje të Kryeministrit e konsideron ndikim të paligjshëm në vendimmarrjen e Komisionin Kombëtar të Përzgjedhjes.
Hoxha paralajmëron se për veprime të tilla të kundraligjshme të cilat ushtrojnë presione dhe ndikojnë drejtpërdrejtë në vendimmarrje do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e integritetit profesional.
Sipas saj ligji e detyron ministrin të presë vendimmarrjen e organit të ngarkuar me ligj DAP, pasi çdo veprim tjetër e ngarkon me përgjegjësi.
Zonja hoxha e mbyll reagimin e saj duke thënë se në cilësinë e nëpunësit më të lartë civil të ministrisë do të vijojë të jap kontributin e saj në shërbimin civil duke mos qenë pjesë e asnjë fushate politike por garante e zbatimit të ligjit.