Jetëgjatësia është ëndrra e të gjithëve. Gjatë periudhave të ndryshme historike kanë ekzistuar shumë të moshuar që kanë jetuar gjatë.
Po a ekzistojnë sekretet e jetëgjatësisë?
Le të studiojmë karakteristikat e mjedisit ku jetojnë më shumë të moshuarit me jetë të gjatë.
Sipas studimeve nga Akademia Kineze e Shkencave, vendbanimet e të moshuarve me jetëgjatësi kanë kushte shumë të mira natyrore. Në rajonet e Kinës ku kanë më shumë të moshuar që jetojnë gjatë, temperatura mesatare varion nga 8.6-24.9 gradë, sasia e reshjeve të shiut është e mjaftueshme dhe ka shumë lumenj. Përveç kësaj, në këto rajone, dita me diell është relativisht e gjatë, përqindja e bimëve është e lartë dhe nuk ka ndotje mjedisi.
3 karakteristika të rëndësishme për jetë të gjatë:
Specialisti i shëndetësisë i Shoqatës së Të moshuarve Kinezë Wang Wuyi përgjithësoi 3 karakteristika kyçe të të moshuarve me jetëgjatësi në Kinë:
1- Shëndeti i mirë fizik dhe gjumë i mjaftueshëm
Gjumi është pjesë e shëndetit fizik. Gjumi cilësor dhe i mjaftueshëm luan rol shumë të rëndësishëm për shëndetin dhe jetëgjatësinë.
Sipas studimeve, të moshuarit mbi 100 vjeç flenë mesatarisht 9.6 orë në ditë, ata 80 -99 vjeç 8.33 orë në ditë dhe ata të grupmoshës 60-79 vjeç flenë 7.64 orë në ditë. Përveç kësaj, 76.64% e të moshuarve mbi 100 vjeç kanë cilësi shumë të mirë të gjumit.
2- Optimizmi
Qëndrimi pozitiv psikologjik përfshin gëzimin dhe marrjen lehtë të gjërave. Qëndrimi negativ përfshin frikën, shqetësimet, vetminë. Sipas të dhënave, të moshuarit me jetëgjatësi janë optimistë.
3- Dieta cilësore
Sipas sondazheve nga profesori Wang Wuyi, të moshuarit me jetë të gjatë në Kinë hanë lehtë. Orizi dhe mielli i grurit zënë mbi 90% të ushqimit që konsumojnë ata. Përveç kësaj, këta të moshuar konsumojnë shpesh perime çdo ditë.
Sipas studimeve të mëparshme, faktori i trashëgimisë konsiderohet element i rëndësishëm. Por, sipas artikullit të publikuar kohët e fundit në revistën e njohur akademike ndërkombëtare “Genetics”, është mbivlerësuar roli i trashëgimisë për moshën në studimet e kaluara. Sipas të dhënave të shumta, elementet e trashëgimisë kanë ndikim vetëm 7% ose më pak për moshën.
Profesori Wang Wuyi vuri në dukje se jetëgjatësia vjen nga elementet e shumta, përveç trashëgimisë, si mjedisi i mirë, zhvillimi i mirë ekonomik-shoqëror, gjendja e shkëlqyer psikologjike dhe aktivitetet e shëndetshme, të gjitha këto mund të luajnë rol pozitiv për jetëgjatësinë.
Arsyet e jetëgjatësi në vende të ndryshme
Në uebsajtin amerikan MSN është postuar një listë e moshës mesatare në vende të ndryshme, ku paraqiten edhe arsyet e jetëgjatësisë të tyre.
Kemi përzgjedhur 6 vende me nivelin më të lartë të jetëgjatësisë:
Islanda: mosha mesatare 82.97 vjeç
Stërvitje kundër depresionit
Dieta e banorëve në Islandë përfshin shumë fruta deti, qumësht dhe produkte bujqësore pa pesticide. Në Islandë, ekzistojnë shumë llixha dhe banorëve u pëlqen noti, duke e konsideruar si një metodë argëtimi. Gjatë dimrit në Islandë, koha e ndriçimit është shumë e shkurtër, por banorët e Islandës bëjnë stërvitje të shumta për të lehtësuar efektivisht problemet e depresionit sezonal.
Zvicra: 82.5 vjeç
Shfaqja e talentit të njerëzve
Zvicra është një ndër vendet më të lumtura në planet, me një ekonomi të lulëzuar dhe qeveri të qëndrueshme. Sistemi shëndetësor i Zvicrës renditet si më i miri në botë. Në këtë vend europian i kushtohet shumë vëmendje shfaqjes së talentit të banorëve.
Australia: mosha mesatare 82.15 vjeç
Pasja e njohurive mbi ruajtjen e shëndetit
Pavarësisht se australianët përballen me problemin e mbipeshës dhe të rritjes së stresit, ata jetojnë gjatë. Kjo vjen nga niveli i lartë i jetesës dhe sistemi i përmirësuar shëndetësor. Po ashtu ka një ndërgjegjësim dhe mobilizim të popullatës për ruajtjen e shëndetit.
Singapori: mosha mesatare 84.68 vjeç
I kushtohet vëmendja e madhe parandalimit të sëmundjeve kronike
Singapori është një vend me ekonomi shumë të zhvilluar dhe sistem të lartë shëndetësor. Atje i kushtohet vëmendja shumë e madhe zbulimit të sëmundjeve kronike dhe parandalimit të tyre. Këto masa mund të ndihmojnë në zgjatjen e moshës së banorëve. Përveç kësaj, banorët e Singaporit hanë shëndetshëm, si ushqime me shumë antioksidantë, peshk, oriz etj.
Itali: 82.12 vjeç
Të moshuarit respektohen gjerësisht në këtë vend
Në një revistë mjekësore është publikuar një artikull, ku vihet në dukje se banorët e Italisë gëzojnë një moshë më të gjatë për shkak të hendekut të vogël mes të pasurve dhe të varfërve. Niveli i jetës së tyre është përmirësuar në mënyrë të pandërprerë. Prandaj, shumica e italianëve blejnë ushqime të shëndetshme. Banorët në ishullin e Sardenjës gëzojnë një moshë më të gjatë, të moshuarit jetojnë shumë të lumtur në këtë ishull dhe të rinjtë respektojnë më shumë të moshuarit. Në këtë ishull zbatohen parimet e rëndësishme të jetës: familja në vend të parë, respekti ndaj moshuarve, shëtitje të shpeshta dhe hare së bashku me miqtë.
Japoni: mosha mesatare mbi 80 vjeç
Ata janë të zënë me aktivitete të ndryshme
Në Japoni numërohen rreth 58 mijë të moshuar të moshës mbi 100 vjeç dhe më shumë të moshuar mbi 80 vjeç. Arsyeja kryesore e jetëgjatësisë së tyre është dieta e shëndetshme. Japonezëve u pëlqen peshku, orizi, djathi i sojës, perimet etj. Japonezët konsumojnë pak çdo vakt. Për jetëgjatësinë më të lartë veçohen banorët në ishullin Okinawa. Ata bëjnë shëtitje, vallëzojnë, arte marciale etj., çdo mëngjes dhe janë gjithnjë në lëvizje me aktivitetet e ndryshme.