Është gjyqi i shekullit, apo jo? Akti i tretë i kënaqshëm në këtë histori dramatike me uljet dhe ngritjet e një bosi të shquar të mafies, i cili u bë një nga njerëzit më të pasur të botës, një Robin Hud që u jepte të varfërve, një Hudin modern, që u arratis jo nga një, por nga dy burgje të sigurisë së lartë. Është edhe një shfaqje madhështore biznesi me një kastë të plotë personazhesh: trafikantë të nivelit të lartë, që “shtynë” një dashnore seksi, një grua të re e të bukur, në galeri.
Ka histori gudulisëse me avionë luksozë, kopshte zoologjike private, një arratisje krejt nudo ( me dashnoren e lartpërmendur) përmes një tuneli të sofistikuar dhe tepri të jashtëzakonshme pasurie që do të skuqnin edhe faqet e “yjeve” më të paturp të televizioneve reality.
Po, Joaquín “El Chapo” Guzmán Loera, shefi famëkeq i kartelit të plotfuqishëm Sinaloa – “kumbari i botës së drogës”, ashtu siç e ka skicuar një oficer i D.E.A. – po sillet përpara drejtësisë në një gjyq, që do të qëndrojë si një fitore e madhe në Luftën kundër Drogës. Sa për këtë shkrim, akuza dhe mbrojtja i kanë përfunduar deklaratat përmbyllëse dhe nuk e dimë sesi do të shkojë. Ndoshta ndonjë nga anëtarët e jurisë do të jetë kompromentuar dhe Guzmán mund të lirohet. Me shumë gjasë do të dënohet dhe do të vuajë dënim të përjetshëm me burg. Cilido qoftë rezultati, në tablonë e madhe… nuk ka kurrfarë rëndësie. Gjyqi i Guzmán-it nuk do të bëjë asgjë për të ndalur rrjedhën e drogës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mos më keqkuptoni. Dënimi Guzmán-it për trafikimin e tonelatave të drogës në ShBA do të ishte gjë e mirë. Ai nuk është Robin Hudi. Ai është një vrasës përgjegjës për vuajtjet e parrëfyera – me siguri më shumë sesa po akuzohet – dhe nëse ai e shkon pjesën e mbetur të jetës në burg, do të ishte një farë gjëje e ngjashme me drejtësinë.
Por ky arrestim nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar problemin amerikan me drogën dhe dënimi i tij mund të ishte, në këtë optikë, i pakuptimtë. Arsyeja është e thjeshtë. Nga koha e arrestimit të Guzmán-it, “arratisjes” dhe ri-arrestimit në farsën që e bëri atë të famshëm, ai e kishte humbur pjesën më të madhe të pushtetit të tij. Ai ishte i panevojshëm. I pavlerë. Gjëja më kritike që duhet kuptuar është se, Guzmán nuk ishte dhe nuk do të jetë kurrë, i vetmi bos i kartelit të Sinaolas. Priremi të mendojmë rreth karteleve si piramida, me vetëm një drejtues në majë, por në fakt janë më shumë si tortat e dasmave, me shumë shtresa. Guzmán ishte në shtresën e sipërme, me të tjerë, ku më i rëndësishmi ishte Juan Esparragoza Moreno, i ndjeri Ignacio Coronel Villarreal dhe një burrë me emrin Ismael “El Mayo” Zambada, i cili është lidhur shpesh, edhe pse në mungesë, me këtë gjyq.
Një maksimë e sprovuar nga kohërat e avokatit të mbrojtjes thotë se, nëse klienti juaj është dukshëm fajtor, sillni dikë tjetër në gjyq. Në një deklaratë hyrëse, avokatët e Guzmán-it argumentuan se ai nuk ishte bosi i vërtetë i kartelit Sinaloa, Organizata më e madhe e Trafikut të Drogës, në botë. Por, pretendojnë ata, ai nder i takonte Zambada-s dhe ai ka paguar qindra milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e lartë në qeverinë meksikane, që të mbetet, në mungesë. Dëshmitarët, përfshi të vëllanë dhe të birin e Zambada-s, kanë dëshmuar të njëjtën. Por askush nuk e quan Mayo Zambada –n “kumbarin e botës së drogës” dhe kështu i pëlqen atij. Nuk e sheh Zambada-n të intervistuar në “Rolling Stone”, në përpjekje për të prezantuar romanca me yjet e televizionit apo të punojë rreth një biografie, siç ka bërë Guzman.
Zambada është një biznesmen konservator, që parapëlqen të qëndrojë pas perdes. (Nëse ka një Don Corleone mes lordëve meksikanë të drogës, ai është Ismael Zambada.) Dhe partneri i tij, Guzmán, po bëhej gjithnjë e më problematik. Bosët e mafies qëndrojnë në pushtet për aq kohë sa ata bëjnë me para të tjerët. Guzmán nisi t’u kushtojë njerëzve para. Në fillim të rënies së tij, ai po vuante humbje të mëdha në përfitimet e marihuanës për shkak të legalizimit në Amerikë. Një nga përgjigjet e kartelit ishte të ktheheshin në tregun e heroinës për herë të parë, pas 1970-ës, në mënyrë që të gllabëronin një pjesë nga tregu në lulëzim i kompanive farmaceutike, me të varurit nga opiatet. Kartelet prodhuan aq shumë heroinë sa krijuan tepricë, të cilën në kthim të politikës së mëparshme, nisën ta shesin brenda Meksikës.
Guzmán u bë lakmitar dhe kërkoi një pjesë të përfitimeve nga tregtarët vendas në Sinaloa, duke larguar kështu bazën e tij të pushtetit. Bërë bashkë kjo me sjelljet e tij gjithnjë e më të çuditshme, është e qartë se përse ai u bë i dyshimtë për partnerët, veçanërisht Zambada-n. Burimet në Meksiko më thonë se Zambada – i moshuar dhe shëndetlig – ka dashur të marrë miliardat e tij dhe të tërhiqet shpejt. Por ai ka një tjetër problem veç Guzmán-it: dy djem që po përballen me dënime të gjata në ShBA. Më 2010-ën, i biri i Zambada-s, Vicente-ja u ekstradua në ShBA për trafik droge dhe ka gjasa të dënohet me burgim të përjetshëm. Në nëntor të 2013-ës, i vëllai Serafíni u arrestua në Arizona për komplot në trafikun e kokainës dhe metamfetaminës dhe po përballet me një dënim me 10 vjet burgim si edhe një gjobë prej 10 milionë dollarësh. Më 2014-ën, doli në dritë se Vicente-ja kishte prerë një marrëveshje të fshehtë faljeje, duke rënë dakord të dëshmonte kundër Guzmán-it.
Në shkurt të 2015-ës, Serafini u transferua në një vendndodhje të fshehtë, por nuk ka të dhëna të tij në burgjet federale. U hamendësua gjerësisht në atë kohë se atij, si edhe të vëllait, i nevojitej dikush, për të cilin mund të bënte ujdi dhe nuk do të ishte i ati. Guzmán-i, gjithnjë e më i gabueshëm, gjithnjë e më publik, ishte kandidati i dukshëm. Nuk është rastësi që Guzmán u arrestua fillimisht ndërsa vëllezërit Zambada bënin marrëveshjet e tyre. Në mars të 2018-ës, Serafini u dënua me pesë vjet e gjysmë. Ai u lirua shtatorin e shkuar. E megjithatë, mori mjaftueshëm mbështetje, ndikim dhe para për të përpunuar “arratisjen e guximshme” të 2015-ës, që thuhej se u arrit përmes një tuneli 1.6 km të gërmuar nën muret e burgut të sigurisë së lartë dhe gjithashtu nën hundët, në dukje të pavëmendshme, të Ushtrisë së Meksikës, federalëve dhe autoriteteve të burgut.
Nuk ishte as e guximshme e as arratisje, por një nisje e blerë dhe e paguar. Videot vëzhguese të burgut tregojnë një Guzmán plotësisht të veshur “që hyn në dush”, pas murit të privatësisë (mjaft të themi) në qelinë e tij, që bllokon pamjen, ndërsa ai me gjasa zbret poshtë në tunel. Pavarësisht dëshmisë të Dámaso López-it, ka ende shkaqe për dyshim se ai kurrë nuk ka hyrë në atë tunel. Nëse përballon 15 milion dollarë kosto të ndërtimit dhe ryshfete për të ndërtuar një tunel, mund edhe të ta mbajë xhepi të mos kesh pse përdor atë. Është e mundur që të ketë dalë nga dera kryesore , njësoj siç bëri gjatë “arratisjes” së parë, më 2001-shin, për të cilën kishte një shpjegim zyrtar që u shpëtonte faqen – se ai ishte fshehur në një karrocë të rrobave që çoheshin në lavanderi. Guzmán mund të kishte mbetur në liri nëse ky spektakël nuk do t’i kishte sjellë vëmendje dhe turpërim qeverisë meksikane.
Furia e medies solli presion, veçanërisht në ShBA, që e detyruan Meksikën të niste një gjueti intensive si edhe sulme, arrestime dhe konfiskime të produktit që shënjestronte të gjithë organizatën Sinaloa. Në fjalë të tjera, manovrat e Guzmán-it i kushtuan kartelit para. Shprehja e vjetër se nuk ekziston reklama e keqe nuk është e vërtetë për figurat e krimit të organizuar dhe për cilëndo arsye – qoftë dashuria me fotot e veta të prera nga gazetat apo thjesht se po e besonte edhe vetë legjendën e tij –Guzmán nisi të kërkonte dritën e vëmendjes. Ai donte që Hollivudi të bënte një film biografik rreth tij dhe ajo përpjekje – e kombinuar me pasionin e tij për yllin meksikan të telenovelave Kate del Castillo – e çoi të ulet në intervistën e famshme me aktorin Sean Penn për revistën “Rolling Stone.”
Artikulli, që tregoi se Penn dhe del Castillo kaluan përmes një pike ushtarake kontrolli të afërt gjatë rrugës për ta takuar, është lidhur me vendndodhjen e Guzman-it. Le të jemi realistë. Ata e dinin se ku ishte ai. Por publiciteti ndihmoi për të bindur Zambada-n dhe të tjerë vendimmarrës se ishte koha jo vetëm të lejonin që Guzmán të hiqej, por ta kërkonte këtë. i vetmi kusht ishte që ai të mos lëndohej. Pesë nga të afërtit me të u vranë në një sulm që e rrethoi atë, por
Guzmán dhe asistenti i tij nuk u lënduan. Kaq është e sigurt: Guzmán nuk do të ri-arrestohej apo ekstradohej pa lejen dhe bashkëpunimin e Zambada-s dhe figurave të tjera të fuqishme në kartel dhe në qeverinë meksikane. Tani Vincente-ja po kërkon vizën e rrallë S-5, që do t’i lejojë atij dhe familjes së tij të mbeten në ShBA për tre vjet dhe në afat të papërcaktuar më pas, nëse gjithçka shkon sipas planit.
Dëshmia e tij në gjyq përfshinte shumë fakte inkriminuese rreth Guzmán-it, si edhe për babain e tij, të cilin e emërtoi si kreu i kartelit Sinaloa. Dëshmia që Vincente-ja dha, është parë si tradhti ndaj kartelit dhe ndaj të atit, po a i ishte e vërtetë? Apo i dha i ati leje të birit që të shpëtonte veten duke thënë atë që të gjithë e dinin, një praktikë e zakonshme mes narko-trafikantëve që përballen me dënime të gjatë në ShBA? Ndryshe nga Mafia, kartelet meksikane inkurajojnë anëtarët e tyre që janë arrestuar të thonë gjithçka dinë, nëse mund të bëjnë ujdi për të ulur dënimin – gjithë ç’janë të detyruar të bëjnë është të mbështesin atë që u kanë thënë avokatëve të mbrojtjes, që më pas e kalojnë informacionin, në mënyrë që kartelet mund të bëjnë rregullimet e nevojshme. Dhe dëshmia më dëmtuese që Vincente-ja ka bërë është ajo kundër Guzmán-it.
Në një kuptim, dikush mund ta shohë dëshminë e Zambada-s si një shtrirje të konfliktit të brendshëm që tani po luftohet mes “fraksionit të Zambada-s” në kartelin Sinaloa dhe “fraksionit Guzmán”, që udhëhiqet nga tre djemtë e rritur të Chapo-s. Marrëveshja ishte dhe kjo ishte arsyeja pse procesi nuk bënte ndryshim në problemin e përgjithshëm të drogës. Eksporti i kokainës, metamfetamina dhe veçanërisht heroina nuk u ngadalësua pas arrestimit të Guzman-it. Me siguri, karteli ka qenë në kaos që prej ekstradimit të Guzmán-it, por pjesërisht ndodhi për shkak të zënkave të brendshme, për shkak të ujdive të ndarjes së pushteteve, që Guzmán e kishte imagjinuar mes djemve të tij, Zambada-s dhe krahut të tij të djathtë, Damaso Lopez, ishte shpërbërë. Çështja më e madhe është ngritja e një tjetër shtëpie pushteti: Karteli i Brezit të ri të Jalisco-s, që po konkurron me sukses Sinaloat në trafikun e rrugëve, kalimet e kufirit dhe fushave me lulëkuqe. Të tjerë, organizata më të vogla po nxitojnë të mbushin hendekun e pushtetit. Si rezultat i kësaj, pranë ekstradimit të Chapo-s, Meksika ka kaluar dy vitet më të dhunshme, që kur qeveria nisi t’i gjurmojë, më 1997-ën. Nëse mendoni se burgosja e Guzmán-it ka qenë një fitore e madhe në Luftën e Drogave, shpjegoni pse mbidozat e heroinës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rritur në mënyrë dramatike, nuk kanë rënë, që prej arrestimit të tij. Problemi i drogës është përkeqësuar, nuk është përmirësuar.
Është biznes si zakonisht, sepse është ndërtuar të jetë i tillë. Guzmán ishte një pjesë, edhe pse e rëndësishme, në makinerinë komplekse të përbërë nga trafikantë droge dhe policë (nga të dy anët e kufirit), si edhe ushtria, sistemi i drejtësisë, qeveria dhe entitete biznesi. Së bashku ata e bëjnë tregtinë e drogës të mundshme. Qëllimi i kësaj sipërmarrjeje është gjigant. Po flasim për qindra miliardë dollarë në vit që rrjedhin nga ShBA drejt Meksikës, para që janë ri-investuar në biznese të ligjshme në Meksikë, ShBA dhe në të gjithë botën. Disa e gjejnë rrugën e tyre në xhepat e zyrtarëve të lartë të qeverisë, përfshi një apo disa presidentë, nëse avokatët e Guzman-it dhe disa dëshmitarë duhen besuar.
I vëllai i Mayo Zambada-s, Jesús, edhe ai i burgosur në ShBA, dëshmoi se partnerët në kartel kishin hedhur më shumë se 50 milionë dollarë për ryshfete ndaj qeverisë së ish presidentit Felipe Calderón (2006–2012). (Kjo akuzë është mohuar fuqishëm.) Ai ka deklaruar më tej – megjithëse Gjykatësi Brian Cogan e ndaloi këtë dëshmi – se ai kishte paguar disa miliona dollarë ryshfete për një përfaqësues të presidentit aktual dhe të kryebashkiakut të atëhershëm të qytetit të Meksikos, Andrés Manuel López Obrador. (López Obrador ka refuzuar të komentojë mbi akuzat.) Alex Cifuentes, një ish-ndihmës i Guzman-it, në rangje të larta, dëshmoi se karteli kishte dërguar 100 milionë dollarë për presidentin e zgjedhur atëherë Enrique Peña Nieto (2012–2018), për të mbrojtur Guzmán-in nga arrestimi dhe ai u tha autoriteteve rreth ryshfeteve të përfolura, që në 2016-ën.
Në argumentet përmbyllëse, mbrojtja tha se ryshfetet në fakt kanë ardhur nga Zambada, me qëllim arrestimin e Guzmán-it. Zëdhënësit e Peña Nieto-s i kanë mohuar me indinjatë pretendimet e Cifuentes-it. Mund të dyshojmë kështu vërtetësinë e trafikantëve të drogës. Ata me siguri që nuk janë engjëj dhe gënjeshtra mund të jetë më e falshmja ndër mëkatet e tyre. Por ka arsye të mira për t’iu besuar: ata janë të gjithë në arrest federal në Amerikë dhe kanë negociuar ujdi për ulje dënimesh që do të ishin të pavlefshme nëse gjendet se janë duke bërë dëshmi të rreme. Si të tillë, ata janë shpallur fajtorë për akuzat e drogës dhe kështu nuk kanë se ç’fshehin. Për më tepër, nuk kanë rënë në kundërshti me njëri-tjetrin dhe regjistrimet e audio-përgjimeve kanë pohuar pjesë të rëndësishme të dëshmisë së tyre.
Me më shumë rëndësi, “zbulimet” që këta dëshmitarë kanë sjellë përpara nuk janë zbuluese – ata thjesht pohojnë çfarë ka qenë e ditur. Kam afro dy dekada që shkruaj për botën e meksikane të drogës dhe kam rrëfime të besueshme të këtyre ryshfeteve dhe pagesa të vazhdueshme, nga dita e parë. Nuk jam i vetmi në këtë aspekt – gazetarë shumë të respektuar, njëri pas tjetrit i kanë raportuar këto histori, disa edhe me koston e jetës. Çështja është se korrupsioni sistematik ka qenë i ngritur prej shumë vitesh, qëndron ende në vend dhe është shumë më i gjerë, shumë më i fuqishëm sesa një i pandehur i vetëm, qoftë ky edhe “kumbari i botës së drogës”. Kumbarët e vërtetë të botës së drogës ulen në zyra të rehatshme, jo në një bankë të pandehurish apo qeli. Sigurisht ,të vendosësh pas hekurave një djalë të keq si Guzmán është gjë e mirë. Por ai është vetëm i fundit, në listën e gjatë: Pedro Avilés; Miguel Ángel Félix Gallardo; Amado Carrillo Fuentes, “Lordi i Qiejve”; Pablo Escobar; Nicky Barnes; Benjamín Arellano Félix; Osiel Cárdenas dhe tani Chapo Guzmán.
Më çfarë qëllimi?
Drogat janë me më shumë bollëk, më të fuqishme dhe më pak të kushtueshme se kurrë. Nuk do të gjejmë kurrë një përgjigje për problemin e drogës derisa të ngremë pyetjen e madhe rreth korrupsionit sistematik: lidhjet mes trafikut të drogës, qeverisë dhe biznesit; kompleksi industrial i burgjeve që financohet nga të dënuarit e drogës dhe vetë natyra e përdorimit të drogës dhe vetë varësia. Cila është natyra e vërtetë e makinerisë së trafikut të drogës? Cila është thellësia dhe gjerësia e korrupsionit që e lejon të lulëzojë? Ku shkojnë miliardat e dollarëve? Si e siguron mbrojtjen dhe kush e siguron atë mbrojtje? Dhe diçka tjetër. Cili është korrupsioni i shpirtit amerikane që na bën të dëshirojmë drogë, në radhë të parë? Opiatet – që po i vrasin amerikanët, më shumë se çdo lloj aksidenti me makinë apo armët – janë përgjegjëse ndaj dhimbjes. Duhet të pyesim: çfarë është dhimbja? Derisa ta ngremë dhe t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, problemi i drogës do të jetë gjithnjë me ne.
Po gjyqi i shekullit?
Më falni, por thjesht nuk ka rëndësi.
*Don Winslow/ Ky artikull është përgatitur për numrin e shtypur të muajit mars 2019, të revistës Vanity Fair.