Aktualitet Sekuestrohen 22 pasuri të Eridan Guerreros në Vlorë e Durrës

Sekuestrohen 22 pasuri të Eridan Guerreros në Vlorë e Durrës

22 pasuri në pronësi të një 50-vjeçari nga Vlora janë sekuestruar nga Policia e Shtetit. Bëhet fjalë për pasuri të Eridan Guerrero-s, i cili akuzohet nga autoritetet belge si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge, si dhe të familjarëve të tij.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se “në kuadër të operacionit të koduar “Filtri”, u sekuestruan 18 pasuri të paluajtshme (apartamente, sipërfaqe toke, njësi shërbimi, garazh dhe depo), të ndodhura kryesisht në lagjen “Uji i ftohtë”, Vlorë dhe në Durrës, si dhe 4 automjete të tipeve të ndryshme”.

Këto pasuri dyshohet se janë përfituar nga Guerrero dhe nga familjarët e tij, për shkak të veprimtarive kriminale të 50-vjeçarit.

Guerrero aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit në Bruksel të Belgjikës, i akuzuar për veprat penale “Trafikimi ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryera në formën e organizatës kriminale.

Policia e Shtetit thotë se vijojnë hetimet me qëllim zbulimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që mund të kenë si burim, veprimtaritë kriminale të 50-vjeçarit.