Kryesore Aksidenti me 3 të vdekur në Tiranë, del video kur “Audi” fluturon...

Aksidenti me 3 të vdekur në Tiranë, del video kur “Audi” fluturon nga rrethrrotullimi

Kanë dalë pamjet e momentit të aksidentit tragjik me 3 viktima dhe 3 të plagosur, ku 20-vjeçari, Klevis Ruçaj, së bashku me dy vajza, po udhëtonte me makinën e llojit “Audi” nga Farka dhe për shkak të shpejtësisë së lartë theu barrierat e mbikalimit të Saukut e ra mbi mjetin “Honda”.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, duket qartë që mjeti që drejtohej nga i riu ishte me një shpejtësi marramendëse, dhe për pak një tjetër automjet ka mundur t’i shmangej përplasjes para se “Audi” të fluturonte nga mbikalimi.

20-vjeçari Klevis Ruçaj, i cili po drejtonte mjetin e llojit “Audi” ra mbrëmjen e djeshme nga mbikalimi i Saukut mbi kofanon e një tjetër makine, duke lënë pas dy viktima në momentin e ngjarjes dhe pak orë më vonë do të ndërronte jetë në spitalin e Traumës, aty ku po merrte mjekim të specializuar nga mjekët.

Si i shpëtoi “Benzi” aksidentit tragjik në Sauk

Ndërsa ka dalë video e momentit kur makina e llojit “Audi” vjen me shpejtësi të madhe nga Farka dhe çan barrierat në rrethrrotullim, duket se një tjetër makinë, tip Benz, i ka shpëtuar mrekullisht aksidentit të tmerrshëm me “Audin”.

Makina tip “Benz” ishte duke bërë rrethin në normalisht, ndërsa “Audi” vjen me shpejtësi të lartë dhe kalon vetëm pak centimetra nga pjesa e pasme e “Benzit”, drejtuesi i të cilit ka qenë me fat në këtë rast.

Në aksidentin tragjik humbën jetën drejtuesi i “Audit”, Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, banuese në Tiranë.