Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro preventive ndaj disa pasurive me vlerë 2.1 milionë Euro që u përkasin dy shtetasve të huaj.
Ata janë H.L. 50 vjeç lindur në Junik të Kosovës e banues në Olten të Zvicrës, si dhe R. (A.) S. 47 vjeç lindur në Poloni dhe banues në Olten të Zvicrës. Hetimet për operacionin e koduar “Asetet” vijojnë prej 1 viti.
Shqiptari nga Kosova është aktualisht person nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn të Zvicrës, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit dhe pastrim parash. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So në 26 Nëntor 2011 për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.
Ndërsa 47-vjeçari nga Polonia është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit dhe pastrim parash.
Pronat ndaj të cilave u vendos sekuestro janë 3 apartamente në rrugën e Kavajës në Tiranë, njësi tregtare në rrugën e Kavajës në Tiranë, 5500 metër katrorë tokë në Radhimë të Vlorës, asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave, llogaritë bankare 240 mijë Euro dhe 210 mijë franga zvicerane, si dhe 6 makina të viteve të fundit.
Hetimet ndaj këtyre personave vijojnë për të zbuluar prona të tjera që rrjedhin nga aktiviteti i tyre kriminal të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve të tyre.