Gjykata e Katanzaros në Itali ka sekuestruar një sërë pronash të klanit mafioz “Ndrangheta”, për të cilën ka nisur një hetim nga SPAK edhe në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme ka në duar tashmë të gjithë fashikujt e hetimit disa-vjeçar, përgjimet e të cilit trazuan politikën në Shqipëri.
Hetimet e prokurorisë së Katanzaros për klanin mafioz “Ndragheta”, në përgjimet e të cilës flitet edhe për projekte investimesh në industrinë e ndërtimeve në Tiranë, janë legjitimuar edhe nga gjykata Katanzaros.
Krahas hetimit penal gjykata ka vendosur sekuestrimin e 59 kompanive, 45 mjete, nga të cilat 29 makina, 77 llogari rrjedhëse bankare, 24 karta krediti, 1 kallëp ari, 1 orë rolex dhe një skaf të tipit ‘Invictus’.
Në vendimin e gjykatës thuhet se antimafia italiane kanë verifikuar edhe 1800 llogari bankare, ku janë xhiruar 250 mln euro.
Për të njëjtën çështje SPAK vendosi që të nisë hetimet edhe në Shqipëri.
Hetimi u konfirmua dhe nga takimi që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja dhe dy prokurorë të tjerë të strukturës, patën në Itali me kreu e antimafias Italiane, Federico Cafiero de Raho.
Hetuesve të SPAK do t’u vihen në dispozicion të gjitha dosjet e plota ku përfshihen dhe dyshimet mbi shqiptarët.
Sipas marrëveshjes mes SPAK dhe antimafias italiane, në këtë proces nuk do të ketë nevojë për letër-porosi për marrjen e dokumentacionit për të mos zvarritur procedurat.
Nga bisedat e përgjuara del se mafia “Ndrangheta” kishte dërguar përfaqësues në Shqipëri, me qëllim ngritjen e bizneseve nëpërmjet të cilave do të bëhej dhe pastrimi i parave.
Përgjimet shkaktuan zhurmë të madhe në vend si nga ana e opozitës dhe nga maxhoranca ndërsa dy prokuroritë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm.
Çështja tani ka marrë drejtim me nisjen e hetimit kryesisht nga ana e SPAK, e cila e ka regjistruar për disa vepra penale, nga grupi kriminal, pastrimi i parave, e korrupsioni pasiv.