Një 47-vjeçar nga Tirana ka përfunduar në pranga pas një operacioni të policisë të koduar “BLIC”. Uniformat blu njoftuan këtë të shtunë se operacioni u organizua në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person kishte arsenal armësh zjarri si dhe një bodrum që mund të përdorej për lëndët narkotike.
Personi që u arrestua është një 47-vjeçar me iniciale E.D. Në banesat në pronësi të tij në Tiranë dhe në fshatin Pëllumbas policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh. Bëhet fjalë për armë zjari, granata, kapsolla detonatore, fishekë etj.
“4 armë zjarri automatike, 4 granata dore sulmuese, 13 ndezës unifikues të granatave të dorës, 8 kapsolla detonatore, 1000 fishekë, 9 krehëra dhe një jelek antiplumb si i Policisë”, njoftuan autoritetet të cilat theksojnë më tej se po vijon puna në bashkëpunim me prokurorinë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij personi dhe qëllimit të mbajtjes së arsenalit të armëve në banesë.