Eduard Selami ka shtuar akuzat për veprimet autoritare të Lulzim Bashës që sipas tij po ia kalon edhe Berishës.
Selami u tha demokratëve në Bulqizë se Basha e ktheu me kohë Partinë Demokratike në një monopol, duke vendosur për gjithçka vetë.
“Kjo vetëm Republikë e Re nuk është.
Ky është një veprim autoritar i së kaluarës që unë mendoj se pa ndrequr këtë gjë…
Origjinali nuk është Basha, origjinali është miku im Berisha dhe ai i ka bërë këto punë, por ky i çoi edhe më larg, unë flas hapur”, u shpreh Eduard Selami, kandidat për kreun e PD.
Selami tha gjithashtu se duke qenë ai kryetar i PD, kjo e fundit do të ringrihet fuqishëm në të gjithë vendin:
“Ne duam që ta ringrejmë Partinë Demokratike si forcë e parë, aty ku i takon, në të gjithë Shqipërinë.
Jam i sigurt që do ta bëjmë”, tha Selami.
Sa i përket marrëveshjes me Ramën, Selami tha se strukturat e partisë duhej të viheshin në dijeni.
“Unë nuk jam dakord, si bëhet kjo. Hajde mbledhim sesionin. Mbledhim këshillin e degës së Bulqizës, ta dimë”, tha ndër të tjera Selami.