Eduart Selami kandidat për kreun e PD-së ka nisur fushatën tashme me takimet bazë në Lezhë, Rrëshen, Laç, Fushë Krujë, dhe Krujë, ku theksoi se do ta kthejmë PD në parti fituese, do ta kthejmë Shqipërinë edhe një herë në rrugën e suksesit, do të fitojmë po aq fuqishëm sa në vitet 92.
“Besoj që së bashku jo vetëm do ta kthejmë PD në parti fituese, do ta kthejmë Shqipërinë edhe një herë në rrugën e suksesit, jo vetëm rajonal por edhe më gjerë. Demokratët do të fitojnë dhe do të rikthehen po aq fuqishëm sa edhe në vitin 92. Unë kam besim absolut se demokratët janë forca më progresive e Shqipërisë që gjeneron sukses edhe progres dhe këtë e kanë dëshmuar faktet. Prandaj, kjo më bën mua kaq krenar që jam demokrat dhe unë jam këtu që me energjinë tonë, t’ia dalim dhe në këtë sfidë të ringritjes së PD”, tha Selami.
Nder te tjera, Selami tha se PD është forca politike e alternativave dhe e energjisë më të madhe të shqiptarëve, që rrëzoi totalitarizmin e komunizmit, që ngriti forcën e shtetit ligjor dhe siguroi integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Duke shtjelluar platformën e tij, kandidati Selami tha se ajo pasqyron gjithë problematikën dhe zgjidhjet për gjendjen kritike të PD pas humbjes në 25 Qershor. Duke u përqendruar te ajo që ai e cilësoi rikthimi te vlerat demokratike si, respektimi i Statutit, dëgjimi i strukturave, këshillimi me bazën dhe konkurrenca e drejtë për të promovuar njerëzit më të aftë për karrierën në parti, Selami tha se vendosja e sistemit te meritokracisë është e një rëndësie themelore për PD dhe për rolin aktiv të qytetarëve. Ka ardhur koha, tha ai, qe rregullat e lojës të respektohen që Partia Demokratike të përfaqësojë realisht interesat e demokratëve, që janë interesat e gjithë shqiptarëve.