Serbia do të ketë një nga qeveritë më të shkurtra në historinë e saj për një vit e gjysëm. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas një takimi të partisë, tha në një konferencë për shtyp se kjo qeveri do të jetë afatshkurtër pasi, për shkak të kritikave, do të shkojë sërish në zgjedhje më 3 Prill të vitit 2022. Vuçiç ka paralajmëruar dy prioritete: njëri lufta kundër mafias dhe e dyta Kosova.
“Detyra e dytë më e rëndësishme është lufta për interesat e popullit tanë në Kosovë. Kjo luftë është për të ruajtur interesat vitale të Serbisë dhe për këtë na duhet një unitet i tërë popullit dhe të jemi gati për zgjidhje të kompromisit dhe të jemi gati për bisedime dhe jo të ikim duke shpresuar që kurrë nuk do të merremi vesh për asgjë”, tha Vuçiç.
Serbia do të ketë në të njëjtën datë zgjedhjet presidenciale pasi mandati i Vuçiç skadon në atë kohë. Në zgjedhjet e fundit, Vuçiç fitoi 60 për qind ose 188 deputetë por pjesa më e madhe e opozitës bojkotoi zgjedhjet duke lënë pak hapësirë për debat.
Tre muaj pas zgjedhjeve, Ana Brnabiç, do të jetë sërish kryeministre, për pak më pak se një vit e gjysmë. Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, do të jetë kryetar i Parlamentit, kurse përveç socialistëve në qeveri do të jetë edhe partia SPAS e Aleksandar Shapiç, ish-vaterpolisti i kombëtares serbe. Vuçiç ka thënë se mund t’u japë edhe pakicave vende sekretarësh nëpër Ministri. Praktikisht opozita do të jetë vetëm jashtë parlamentit.