Bota Serbia i ka shtruar tapetin e kuq Kinës, por me çfarë çmimi?

Serbia i ka shtruar tapetin e kuq Kinës, por me çfarë çmimi?

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç mirëpret ndihmat e ekipeve mjekësore nga Kina gjatë pandemisë së COVID-19

Në muajt e parë të pandemisë së COVID-19, presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se serbët nuk mund të prisnin më mbështetje nga Bashkimi Europian. “Serbia tashmë mund të shpresojë për ndihmë nga vetëm një aleat, nga Republika Popullore e Kinës”.

Nga minierat tek autostradat, apo fabrikat dhe hekurudhat, investimet kineze në Serbia janë derdhur që nga viti 2016. Prezenca e Kinës në Serbi nuk është diçka e re, lidhjet midis dy kombeve u krijuan si fillim gjatë udhëheqjes së Slobodan Millosheviç, por prania kineze ishte e dukshme vetëm në ngjarje të rralla kulturore apo në disa tregje kineze të vendosura në zonën e Beogradit të Ri.

Por, në fillim të këtij viti, presidenti serb e përshkroi marrëdhënien midis dy kombeve si një “miqësi prej çeliku”, një përshkim i përshtatshëm duke marrë parasysh blerjen e fundit nga Grupi HBIS i Kinës të një fabrike çeliku në qytetin e Smedervos.

Kjo marrëveshje është fitimprurëse për Kinën, sepse 300 milionë euro të borxhit të fabrikës tani merren nga taksapaguesit serbë, me projektin e përshkruar si një “program shpëtimtar” për qytetin dhe ekonominë serbe në përgjithësi.

Por qytetarët e Smedrevës, dhe qytetarët e fshatrave përreth e kundërshtojnë këtë marrëveshje.

Vladimir Milic, aktivist i OJQ-së “Trdjava” në Serbi tha për Euronews se “çdo gjë brenda 10 kilometrash nga fabrika është veshur me pluhuri i hekurit të çelikut”.

“Jemi të dëshpëruar. Të gjithë kanë filluar të kolliten. Nuk mund të hapim dritaret sepse edhe bimët janë të mbuluara me pluhur. Nuk mund t’i shesim produktet tona dhe shumica prej nesh nuk po punojnë në fabrikë. Me çfarë do të mbijetojmë?” është shprehur ai.

“Kemi protestuar në rrugë, por qeveria dhe kompania qëndrojnë të heshtura. Kemi marrë vesh gjithashtu se qeveria i ka dhënë në përdorim kompanisë edhe portin e Danubit, falas. Për 50 vitet e ardhshme. Pa pagesë!”, shton Milic.

Situata është e ngjashme edhe në qytetin e Borit, ku banorët dolën në rrugë për të protestuar javën e kaluar për ndotjen e sjellë nga një minierë kineze të quajtur Zijin.

Miniera kineze në Bor është më e madhja në rajonin e Ballkanit dhe operimi i saj ka sjellë rritje të jashtëzakonshme të niveleve të ndotjes.

Aktivistët lokalë dhe politikania opozitare Irena Zivkovic tha se arseniku në ajër, vitin e kaluar, ishte 200-fish më i lartë se norma e lejuar.

“Kur kërkuam të dhëna zyrtare mbi ndikim e fabrikës në shëndetin publik, se sa persona janë sëmurë në rajon – sëmundje të mushkërive, kancer – nuk morëm asnjë përgjigje nga institucionet”, tha Zivkovic.

Asnjë nga kompanitë në Serbi nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës së Euronews për një koment mbi këto akuza.

Kritikët frikësohen se Serbia mund të jetë një model testimi i Kinës ndaj investimeve tek shtetet më të varfra europiane. Ata thonë se Serbia ka shumë nevojë për investime të reja dhe qeveria ka treguar gatishmëri për të anashkaluar protokollin rregullator në mënyrë që të tërheqë investime.

Ndërkohë, bashkëpunimi midis dy kombeve ka vijuar paralelisht edhe me sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak. Serbia ishte afër blerjes së sistemit të raketave FK-3 të Kinës, duke u bërë vendi i parë jashtë Kinës që përdor këtë lloj sistemi, por u tërhoq pas kritikave të Uashingtonit.