Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem, nëse Izraeli njeh pavarësinë e Kosovës.
Sipas burimeve për gazetën The Jerusalem Post pranë presidentit Aleksandër Vuçiç, ky i fundit ka lënë të kuptohej se mund të shkelë marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë në 4 shtator, mes Kosovës e Serbisë.
“Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jeruzalem, nëse Izraeli e njeh Kosovën si një vend të pavarur. Për më tepër, kjo lëvizje nga Izraeli do të dëmtonte marrëdhënien dypalëshe midis Izraelit dhe Serbisë dhe nuk do të jetë kurrë e njëjta. Është kaq e thjeshtë”, u shpreh burimi.
Sipas burimit, të shumtë janë ata që mendojnë se njohja e Kosovës nga Izraeli do të ishte e njëjtë me njohjen e njëanshme të Palestinës nga shtetet e tjera.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, me bekimin e presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Përveç kësaj, në marrëveshjen me Kosovën thuhej se Prishtina dhe Izraeli do të normalizonin marrëdhëniet dhe se shteti me shumicë myslimane do të hapte ambasadën e tij në Jeruzalem.
Në dokumentin e firmosur nga Serbia, theksohej gjithashtu zhvendosja e ambasadës në Jeruzalem.
Çështja nxiti reagimin e Bashkimit Europian që theksoi se çdo marrëdhënie diplomatike që bie ndesh me qëndrimin e Brukselit, përbën shqetësim serioz.