Bota Serbia përgatitet për prodhimin e vaksinës kineze. Do të prodhohen 6 mln...

Serbia përgatitet për prodhimin e vaksinës kineze. Do të prodhohen 6 mln doza brenda vitit

Lënda e parë për prodhimin e vaksinës kineze Sinopharm në Serbi, mbërriti mbrëmë në Beograd, ku u prit në aeroport nga ministri i Shëndetësisë Zlatibor Loncar dhe ambasadorja kineze Cen Bo. Ata deklaruan se, së bashku me lëndën e parë kanë mbërritur edhe ekspertë dhe specialistë nga Kina,  të cilët do të ndjekin të gjithë procesin e provës dhe fillimin e prodhimit, të planifikuar për në tetor.

Plani është që të prodhohen rreth gjashtë milionë doza deri në fund të vitit, që kanë për qëllim nevojat shëndetësore të popullatës serbe dhe ndoshta edhe të vendeve të rajonit. Puna për ndërtimin e fabrikës ku do të prodhohet vaksina kineze është planifikuar të fillojë më 9 shtator.

Marrëveshja e lidhur midis Serbisë, Kinës dhe përfaqësuesve të Emirateve të Bashkuara Arabe u nënshkrua më 12 korrik.

Ambasadorja Cen Bo theksoi se Serbia do të jetë vendi i parë evropian që prodhon vaksinën kineze, pasi ishte i pari në Evropë që administroi vaksinën Sinopharm.

Muajt ​​e fundit, Serbia ka filluar prodhimin e vaksinës ruse Sputnik V. Të dyja vaksinat administrohen në vendin ballkanik, së bashku me vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer-BioNTech.