Nuk ishte një serial shumë i njohur deri pak javë më parë, “My secret Terrius”, por sot ai shihet me vëmendje jo vetëm në Korenë e Jugut ku është prodhuar, por edhe në vendet e tjera që po përjeton makthin e koronavirusit.
Arsyeja është thjeshtë. Skenari flet për një grua, Go Ae-rin, që humbet bashkëshortin. Falë komshiut të saj, që është edhe një agjent sekret, ajo zbulon komplotin që ka çuar drejt vdekjes së burrit, që ka të bëj me ndërtimin e një virusi, pikërisht koronavirus, i cili mund të zhdukë një pjesë të mirë të popullsisë dhe që do të përdoret si armë biologjike.
Në një nga skenat kryesore, në episodin e dhjetë, një mjeke i shpjegon protagonistes detajet e virusit. Mjekja flet për një virus mutant, i përafërt me SARS dhe MERS, dhe që godet rëndë mushkëritë.
Një përshkrim që sot jemi mësuar të dëgjojmë përditë nga mjekët tonë, por seriali është prodhuar në 2018, dy vite para se bota të njihte virusin e ri.
Seriali, i shpërndarë edhe në Netflix, ka kapur vëmendjen e shumë personave, dhe përtej Azisë po ndiqet edhe në Britani, ku ndodhet në vend të pestë në renditje.