Kryesore Sërish kaos, seanca parlamentare zgjat vetëm 10 minuta

Sërish kaos, seanca parlamentare zgjat vetëm 10 minuta

Ka zgjatur vetëm 10 minuta seanca e sotme plenare, pasi Rithemelimi vijoi me skenarin e kaosit të zhurmueseve.

Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla prezantonte rendin e ditës, një pjesë e deputetëve të opozitës ishin bërë “gardh” pranë foltores.

Me pankarta të shumta në duar, deputetët e opozitës i ranë bilbilave, ndërsa nuk pati aksione agresive të përdorimit të dhunës fizike, duke shënuar një reflektim që ka ardhur hap pas hapi nga ana e deputetëve të opozitës, sidomos edhe pas kritikave të ndërkombëtarëve.

“Njerëzit duan të dëgjojnë për hallet e shqetësimet e tyre, jo hallet tuaja”, tha Nikolla.

Deputetët e Rithemelimit dhe të Bardhit mbanin pankarta në duar. Opozita proteston prej disa muajsh, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të saj nga ana e mazhorancës siç janë komisionet hetimore, etj.

Në rendin e ditës të seancës plenare të ditës së sotme ishte parashikuar që të kishte diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.