Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 18 raste të reja me koronavirus Covid-19.
“Në Durrës janë identifikuar 7 raste në një fasoneri, kontakte të një rasti pozitiv. Janë 5 raste të reja në Berat, 4 raste në Tiranë dhe 2 në Krujë, të gjitha kontakte”, deklaroi Silva Bino, përgjegjëse e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik.
Silva Bino u bëri thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojë rregullat higjieno-sanitare.
“Vetë bizneset duhet të respektojnë protokollet e përcaktuara për të ruajtur qytetarët dhe punonjësit. Prandaj është vendi për një apel për të gjithë qytetarët: të respektojmë masat, të mos dalim nga shtëpia pa arsye të domosdoshme, të mos neglizhojmë shenjat e sëmundjes dhe duhet telefonuar 127 nëse keni shenja të Covid-19”.