Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka bërë të ditur këtë të premte se kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, do të jetë kryeministri shqiptar në Maqedoninë e Veriut nga 28 janari i vitit të ardhshëm deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat pritet që ët mbahen më 8 maj.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i BDI-së, gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie në Tetovë.
“BDI propozon Talat Xhaferin si kryeministër i Qeverisë e cila do të jetë në fuqi nga fundi i janarit e deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, deklaroi Osmani.
Po ashtu është bërë me dije se Kryetari i Kuvendit, pasi Xhaferi të kalojë në postin e kryeministrit, do të propozohet nga partnerët e koalicionit qeverisës, që më shumë gjasë do të jetë nga radhët e LSDM-së.
Sa i përket kryeministrave shqiptar, në Ballkan do të kemi tre kryeministra shqiptar, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut.
Nëse kjo gjë do të ndodhte pak më herët, atëherë do të ishin katër kryeministra shqiptar, me Dritan Abazoviçin në Mal të Zi, i cili ishte në krye të qeverisë malazeze deri muajin e kaluar.