Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar sot qendrën shëndetësore verore në zonën e Currilave në Durrës, e hapur enkas për sezonin turistik. Ministrja tha se, janë hapur 28 qendra shëndetësore verore në pikat turistike bregdetare dhe malore në të gjithë vendin, me shërbim 24/7 për pushuesit.
“Kemi hapur si çdo vit në 15 Qershor 28 qendra shëndetësore verore, për të qenë afër çdo qytetari dhe pushuesi që ka nevojë për ndihmë mjekësore gjatë periudhës së pushimeve gjatë gjithë bregdetit por edhe në zonat malore janë vendosur këto qendra shëndetësore, të cilat janë 24 orëshe në shërbim të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Nisur nga situata e epidemisë, ajo shtoi se 160 mjekët dhe infermierët që do të shërbejnë në këto qendra verore janë trajnuar për të identifikuar dhe referuar pacientë të prekur nga COVID-19.
“Një pikë e rëndësishme për këtë vit ka qenë edhe trajnimi i stafit mjekësor sa i përket pacientëve që mund të shfaqen të dyshuar apo potencial me COVID-19 përgjatë punës së tyre në qendrat shëndetësore 24 orëshe. Ky trajnim është kryer nga Qendra e Urgjencës Kombëtare për të gjithë 160 mjekët dhe infermierët të cilët punojnë në qendrat shëndetësore verore”, bëri të ditur ministrja.
28 qendrat shëndetësore verore dhe 14 postacionet e autoambulancave do të koordinohen nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore. Qendrat shëndetësore verore janë: Razëm, Valbonë, Tamarë, Theth, Plazhi Currila, Gjiri i Lalzit, Darëzes, Zvërnec, Qeparo, Pogradec, Rrjoll, Tale, Velipojë, Shëngjin, Durrës, Shkëmbi Kavajës, Golem, Mali i Robit, Divjakë, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, Orikum, Ksamil 1, Ksamil 2 dhe Borsh.