Sezoni turistik i këtij viti ka sjellë 560 milionë euro shtesë në sektorin bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën mes fillimit të muajit qershor dhe fundit të muajit shtator, totali i depozitave bankare në euro ka shënuar një rritje të fortë, me pothuajse 10%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shtesa e depozitave bankare në euro është rreth 4.3% më e lartë.
Rritja më e lartë ka ardhur gjatë muajit gusht, periudhë që zakonisht përfaqëson edhe pikun e sezonit veror. Në gusht, depozitat bankare u rritën me 257 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e rritjes ishte e shpërndarë mes muajve të tjerë.
Rritja e depozitave bankare dhe sidomos atyre në valutë në muajt e verës është një fenomen i lidhur kryesisht me prurjet nga turistët e huaj dhe pjesërisht nga emigrantët shqiptarë që kthehen në Shqipëri për pushime.
Rritja e ndjeshme e depozitave bankare në euro mund të jetë një tjetër tregues i tërthortë i sezonit pozitiv turistik për këtë vit. Për nëntë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në përgjithësi, bilanci i pagesave këtë vit po shfaq një tendencë në përmirësim. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin 2022 deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 469 milionë eurove, në rënie me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Përveç turizmit, ngushtimi i deficitit të jashtëm është mbështetur nga fasoneria, eksportet e tjera të shërbimeve dhe nga remitancat. Përveç ngushtimit të deficitit të llogarisë korrente, një kontribut të lartë në flukset valutore po jep edhe llogaria financiare dhe kryesisht investimet e huaja direkte, që deri në mesin e këtij viti ishin në vlerat më të larta historike.
Në fund të muajit shtator, depozitat në euro shënuan rekordin e radhës historik, duke arritur vlerën e 6.17 miliardë euro. Me bazë vjetore, totali i depozitave në euro është rritur me 17.8%. Depozitat në euro po rriten paralelisht si për klientët biznes, ashtu edhe për individët.
Megjithatë, individët vazhdojnë të kenë ritmet më të larta të rritjes dhe të zotërojnë peshën kryesore kundrejt totalit të depozitave në euro. Rritja vazhdon të përqendrohet kryesisht tek llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat.
Pesha e tyre në fund të shtatorit arriti në pothuajse 63% të totalit. Kjo është një tendencë disavjeçare, e lidhur me normat shumë të ulëta të interesit që kanë zbehur stimujt për t’i mbyllur fondet në depozita me afat.
Euro po jep kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare për këtë vit dhe po fiton më shumë peshë në strukturën e tyre bankare sipas monedhës, me gjithë përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për ta reduktuar peshën e saj, nëpërmjet disa masave rregullatore në vitin 2018.
Por, prania e Euros në ekonominë shqiptare duket se ka rrënjë të thella dhe përpjekjet për ta “luftuar” vetëm brenda sektorit financiar nuk po japin shumë sukses. /Monitor